Ministria e Mbrojtjes hap konkurs për 44 kadetë të rinj, aplikimi deri më 15 qershor
Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës ka shpallur konkurs për pranimin e 44 kadetëve të rinj, të cilët do të kenë mundësinë të ndjekin studime ushtarake dhe akademike brenda dhe jashtë vendit.
Sipas njoftimit, konkursi është i hapur nga 1 deri më 15 qershor 2026 dhe u dedikohet të rinjve që synojnë të ndërtojnë karrierë profesionale në Forcën e Sigurisë së Kosovës.Kandidatët duhet të jenë shtetas të Kosovës, të kenë mbushur moshën 18-vjeçare në ditën e fillimit të studimeve dhe të mos jenë më të vjetër se 22 vjeç në ditën e mbylljes së konkursit.
Për kandidatët që aplikojnë për studime në Turqi, kufiri maksimal i moshës është 21 vjeç.Kadetët do të studiojnë në institucione të ndryshme arsimore, përfshirë Universitetin Amerikan në Kosovë, Akademinë Ushtarake të Shqipërisë, akademitë ushtarake në Turqi, Kroaci dhe Maqedoni të Veriut.
Nga gjithsej 44 vende të lira, 25 janë të rezervuara për studime në Universitetin Amerikan në Kosovë, ndërsa vendet e tjera janë të shpërndara në programe të ndryshme ushtarake dhe të mbrojtjes në shtetet partnere.
Aplikimi bëhet online përmes platformës së rekrutimit të FSK-së, ndërsa Ministria e Mbrojtjes ka ftuar të gjithë të rinjtë që plotësojnë kriteret të aplikojnë brenda afatit të përcaktuar.
