Ministria e Arsimit miraton kalendarin shkollor për vitin 2025-2026

14.08.2025

Ministria e Arsimit ka miratuar Udhëzimin Administrativ për kalendarin e vitit shkollor 2025-2026, i cili përcakton datat e fillimit dhe përfundimit të mësimit në të gjitha institucionet publike dhe private të vendit.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja në detyrë, Arbërie Nagavci, e cila ka theksuar se ky dokument përfshin të gjitha nivelet e arsimit, nga parashkollori deri te shkollat e mesme, si dhe përcakton pushimet dhe festat zyrtare, duke ofruar një plan të qartë dhe të strukturuar për nxënësit dhe mësimdhënësit.

Nagavci ka falënderuar grupin punues për angazhimin dhe bashkëpunimin në hartimin e këtij kalendari.
“Faleminderit të gjithë anëtarëve të grupit punues, mësimdhënësve dhe përfaqësuesve të Drejtorive Komunale të Arsimit për punën e tyre të palodhur në hartimin e këtij kalendari gjithëpërfshirës”, është shprehur ajo.

Ministrja në detyrë ka shtuar se po bëhen përgatitjet më të mira për të siguruar një vit shkollor të suksesshëm, duke u uruar nxënësve dhe stafit arsimor një fillim të mbarë dhe plot arritje.