Ministri gjerman: Kosova ka plotësuar kushtet për liberalizim të vizave, BE-ja duhet të mbajë premtimet

28.05.2021

Ka rreth një dekadë që liderët politikë të Kosovës kanë premtuar liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit. Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende, edhe pse shumica e shteteve aleate të Kosovës kanë konfirmuar se shteti i Kosovës ka përmbushur kushtet për liberalizim të vizave. Se i ka përmbushur Kosova kushtet për […]

Ministri gjerman: Kosova ka plotësuar kushtet për liberalizim të vizave, BE-ja duhet të mbajë premtimet Foto: Ilustrim

Ka rreth një dekadë që liderët politikë të Kosovës kanë premtuar liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit.

Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende, edhe pse shumica e shteteve aleate të Kosovës kanë konfirmuar se shteti i Kosovës ka përmbushur kushtet për liberalizim të vizave.

Se i ka përmbushur Kosova kushtet për liberalizimin e vizave, këtë e thotë edhe ministri gjerman i Shtetit për Europën, Michael Roth.

Roth në një vizitë në Tiranë, ka përmendur edhe çështjen e liberalizimit të vizave për kosovarët.

Ministri gjerman ka theksuar se Bashkimit Evropian (BE) duhet t’i përmbahet premtimeve të veta.

Po ashtu ai tha se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të duhej të ishte përmbushur prej kohësh, meqenëse Kosova i ka plotësuar kushtet.

“Bashkimi Europian duhet të mbajë premtimet e veta dhe këtë e them në mënyrë autokritike. Liberalizimi i vizave në Kosovë do duhej të ishte përmbushur prej kohësh, jo sepse këtë e dëshiron Michael Roth, por sepse Komisioni ka përcaktuar që kushtet janë përmbushur dhe po kështu, edhe tani është e njëjta gjë.

Kushtet janë përmbushur, pra, duhet të mbajmë fjalën, por Bashkimi Europian është i strukturuar në çështje qendrore pikërisht mbi arritjen e konsensusit. Të gjitha shtetet e Bashkimit Europian të mbajnë përgjegjësitë e tyre”, tha Roth.