Memli Krasniqi rizgjidhet kryetar i PDK-së
Në Konventën e Përgjithshme të njëmbëdhjetë me radhë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqiështë rizgjedhur kryetar i partisë.
Krasniqi ka falënderuar delegatët e pranishëm për besimin e dhënë, duke u shprehur i gatshëm për të vazhduar punën për Kosovën. “Faleminderit shumë, për besimin. Faleminderit për mbështetjen. Faleminderit që nderin dhe përgjegjësinë më të madhe jetësore ma dhatë edhe sot sepse kur jam bashkuar për herën e parë në PDK në pranverën e vitit 2004 nuk e kam ëndërruar e as nuk e kam pasur ambicie të jem kryetar i partisë së Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit,” tha lideri i PDK-së.
Krasniqi u zotua se do të angazhohet me të gjitha forcat për ta rikthyer PDK-në si partinë e parë në vend. “Krejt çka di dhe krejt çka mundem do ta bëj për ta rikthyer Partinë Demokratike të Kosovës aty ku e ka vendin si partinë më të madhe dhe udhëheqëse të Republikës së Kosovës,” theksoi Krasniqi.
Rizgjedhja e Krasniqit vjen në një moment sfidues për skenën politike të Kosovës, ndërsa ai synon të forcojë pozicionin e PDK-së në të ardhmen.