Memli Krasniqi për Enver Hoxhën: Është i mirëpritur të rikandidojë për kryetar të PDK-së
Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka folur për mundësinë që Enver Hoxhaj të rikandidojë për postin e kryetarit të partisë.
Në një intervistë në emisionin “Rubikon”, Krasniqi u shpreh se do ta mirëpriste një garë të tillë, duke theksuar marrëdhënien e mirë dhe respektin që ka me ish-nënkryetarin e partisë.
“Dëshira ime në 2021-ën ka qenë me qenë në garë bashkë me zotëri Hoxhajn, si miq që jemi, edhe që pak a shumë njëjtë kemi hy në Partinë Demokratike të Kosovës. Por ka qenë vendimi i tij atëherë me u tërheq nga gara. Këtë herë, padyshim nëse zotëri Hoxhaj vazhdon me pasë ambicien e njëjtë, është i mirëpritur”,
– tha Krasniqi.
Krasniqi, i cili sot dha dorëheqje nga posti i kryetarit të PDK-së, theksoi se për të është e rëndësishme që partia të ketë një proces të hapur, demokratik dhe transparent për zgjedhjen e udhëheqësisë së re.
“Për mua, më e rëndësishme se kush garon është mënyra si garohet. Dua që PDK të tregojë se është parti e standardeve demokratike të larta,” – shtoi ai.
Dorëheqja e Krasniqit ka hapur rrugën për një proces të ri zgjedhor brenda PDK-së, ndërsa emri i Enver Hoxhajt po përmendet si një nga kandidatët potencialë për të marrë drejtimin e partisë.