Mbi 39 mijë veteranë marrin pensione në Kosovë, shteti shpenzon 7.8 milionë euro në muaj
Mbi 39 mijë veteranë të luftës vazhdojnë të përfitojnë pensione në Kosovë, ndërsa vetëm gjatë muajit prill 2026 për këtë kategori janë shpenzuar mbi 7.8 milionë euro nga buxheti i shtetit.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, nga skema e veteranëve kanë përfituar gjithsej 39 mijë e 34 persona.
Përveç veteranëve, pensione kanë marrë edhe kategori tjera të dala nga lufta, përfshirë familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës, ish-pjesëtarët e TMK-së dhe FSK-së.
Pensionet për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës janë realizuar për mbi 12 mijë përfitues, me pagesa që kalojnë 3.7 milionë euro, ndërsa për pensionet e TMK-së dhe FSK-së janë shpenzuar rreth 770 mijë euro.
Ndërkohë, kategoria me numrin më të madh të përfituesve mbetet skema e shtesave për fëmijë me mbi 405 mijë përfitues, ndërsa pensionet bazike të moshës vazhdojnë të kenë koston më të lartë për buxhetin, me mbi 25.9 milionë euro të shpenzuara vetëm për një muaj.
