Mbi 2 mijë e 600 biznese të mbyllura në Kosovë për shkak të pandemisë

29.11.2021

Masat ishin nga më të ndryshmet, duke filluar nga mbyllja e shkollave, e deri tek bllokimi i biznesve për mos-operim si shkak i mundësisë së infektimeve në vendin e punës. Ndërsa, pasi që ishte qetësuar paksa gjendja me COVID-19, kishin filluar lirimi i disa masave anti-COVID, ku u nis edhe rihapja e bizneseve si dhe […]

Mbi 2 mijë e 600 biznese të mbyllura në Kosovë për shkak të pandemisë Foto: Ilustrim

Masat ishin nga më të ndryshmet, duke filluar nga mbyllja e shkollave, e deri tek bllokimi i biznesve për mos-operim si shkak i mundësisë së infektimeve në vendin e punës.

Ndërsa, pasi që ishte qetësuar paksa gjendja me COVID-19, kishin filluar lirimi i disa masave anti-COVID, ku u nis edhe rihapja e bizneseve si dhe shkollave, por ajo mbyllja në fillim të pandemisë ka rezultuar negativisht në biznese.

Si pasojë e pandemisë COVID-19, në vendin tonë janë mbyllur mbi 2 mijë e 600 biznese.

Për t’i përballuar pasojat e pandemisë, Qeveria e Kosovës kishte miratuar Pakon e Ringjalljes Ekonomike, në vlerë prej 420 milionë eurosh. Në kuadër të kësaj pakoje, bizneset janë ndihmuar kohë pas kohe.

Ndërsa, për një vit, rreth 3 mijë e 300 punëtorë mbetën pa punë.

Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, gjatë vitit 2021 janë shuar 1,330 biznese, të cilat kishin të punësuar rreth 3,300 punëtorë.

Gjatë vitit 2020 figurojnë të shuara 1,346 biznese.

Numri më i madh i tyre ka ushtruar veprimtarinë në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë, pasuar nga hoteleria dhe akomodimi, si dhe industria përpunuese.

Në listën e bizneseve të shuara figurojnë edhe biznese në fushën e ndërtimit, informimit, komunikimit e të tjera.

Por, jo të gjitha bizneset që figurojnë të shuara në Agjencinë për Regjistrim të Bizneseve, janë të çregjistruara në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).

Sipas të dhënave të ATK-së dërguar Radios Evropa e Lirë, numri i kërkesave për mbyllje të bizneseve dallon prej numrit të bizneseve të çregjistruara.

Gjatë këtij viti, vetëm 15 biznese kanë arritur të çregjistrohen në ATK.

“Kjo nënkupton që pas kërkesës së bërë për mbyllje, janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore për mbylljen e tyre. Mund të ketë numër të madh të kërkesave për mbyllje, mirëpo mund të jenë në proces të verifikimit, pasi që asnjë biznes nuk mund të mbyllet pa i kryer të gjitha obligimet tatimore ndaj ATK-së”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se numri i bizneseve të mbyllura gjatë periudhës së pandemisë 2020-2021 është shumë më i lartë, sesa shifrat zyrtare.

Sipas tij, ”janë mbi 20 mijë biznese të mbyllura gjatë pandemisë”, ndërsa 50 mijë punëtorë kanë mbetur pa punë”.

Nga këto biznese të mbyllura, shton Shahini, vetëm 10 për qind e tyre kanë arritur të rikthehen në treg.