Malisheva, Prizreni dhe Rahoveci nën ngarkesë të lartë – kërkohet kursim i energjisë
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) ka njoftuar se ditëve të fundit konsumi i energjisë elektrike në Kosovë ka tejkaluar edhe rekordet e mëparshme të ngarkesës së regjistruar në sistem, duke krijuar presion të shtuar mbi rrjetin energjetik.
Foto: Ilustrim
Sipas KOSTT-it, sistemi energjetik i vendit vazhdon të përballet me ngarkesë të rritur, veçanërisht gjatë orëve të pikut, çka mund të rrezikojë stabilitetin e furnizimit me energji elektrike.
Për këtë arsye, KOSTT u ka bërë thirrje qytetarëve që përdorimin e pajisjeve me konsum të lartë të energjisë ta zhvendosin në orë jashtë pikut, veçanërisht pas mesnatës, kur konsumi është dukshëm më i ulët.
“Konsumi më i lartë vërehet kryesisht në intervalet kohore 09:00–12:00, 16:00–20:00 dhe 22:00–23:00. Ndaj ftojmë të gjithë konsumatorët që, kur të jetë e mundur, të zhvendosin përdorimin e pajisjeve me konsum të lartë të energjisë në orë jashtë pikut, veçanërisht pas mesnatës”, thuhet në njoftimin e KOSTT-it.
Po ashtu, përmes komunikatës, KOSTT u ka bërë apel qytetarëve, institucioneve publike dhe bizneseve që ta përdorin energjinë elektrike me kujdes, në mënyrë që furnizimi të mbetet sa më i qëndrueshëm për të gjithë konsumatorët.
Sipas KOSTT-it, kursimi dhe menaxhimi i kujdesshëm i energjisë do të ndihmojnë që sistemi të funksionojë në mënyrë të sigurt dhe pa mbingarkesa, veçanërisht në prag të festave të fundvitit, kur kërkesa për energji rritet ndjeshëm.
Në njoftim thuhet se kujdes i shtuar nevojitet sidomos në disa zona të vendit, përfshirë Rahovecin, Malishevën, Prizrenin, Dragashin, Gjilanin dhe Lipjanin, ku ngarkesa në rrjet është më e theksuar.
“Për të mbrojtur pajisjet e sistemit dhe për të shmangur mbingarkesat, janë kërkuar këto kufizime të ngarkesës: NS Rahoveci (përfshi zonën e Malishevës) rreth 12 MW dhe NS Prizreni 1 (përfshi zonën e Dragashit) rreth 10 MW”, theksohet në komunikatë.
KOSTT ka ritheksuar se bashkëpunimi i të gjithë konsumatorëve është thelbësor për ruajtjen e stabilitetit të sistemit energjetik në këtë periudhë me konsum të lartë.