LVV:Kërkesa për dënime maksimale ndaj ish-krerëve të UÇK-së është përpjekje për kriminalizimin e çlirimit
Lëvizja VETËVENDOSJE! ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së Prokurorisë Speciale për dënime deri në 45 vjet burg për secilin nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar këtë veprim jo si kërkim drejtësie, por si ndërhyrje politike që synon përmbysjen e së vërtetës historike.
Foto: Ilustrim
Sipas VETËVENDOSJE!-s, Serbia e regjimit të Millosheviqit ka kryer gjenocid në Kosovë, ndërsa UÇK-ja ka qenë forcë çlirimtare që ka luftuar kundër planeve dhe veprimeve gjenocidale, duke mbrojtur popullin shqiptar nga dhuna shtetërore dhe okupimi.
Në këtë kontekst, kërkesa për dënime maksimale shihet si tentativë për ta zhvendosur vëmendjen nga agresori te viktima dhe për ta paraqitur rezistencën ndaj okupimit si krim.Në reagim theksohet se përpjekja për ta trajtuar luftën çlirimtare përmes një skeme penale abstrakte – hierarki, urdhra dhe përgjegjësi – e shkëput dhunën nga konteksti i okupimit dhe synon ta kriminalizojë kuptimin kolektiv të çlirimit. VETËVENDOSJE! vlerëson se krimet kundër njerëzimit, sipas së drejtës penale ndërkombëtare, lidhen me aparate shtetërore të dhunës sistematike, të cilat UÇK-ja nuk i ka pasur kurrë.
Lëvizja rikujton se drejtësia ndërkombëtare historikisht ka ndëshkuar udhëheqje shtetërore dhe makineri gjenocidale, duke theksuar se asnjë drejtues i UÇK-së nuk mund të barazohet me figurat e dënuara për krime kundër njerëzimit në raste të tjera ndërkombëtare.
Sipas tyre, Gjykata Speciale, duke u marrë ekskluzivisht me luftën çlirimtare dhe jo me aparatin shtetëror serb të krimit, prodhon një barazi të rreme mes pushtuesit dhe të pushtuarit.VETËVENDOSJE! thekson se kjo gjykatë nuk ka lindur nga një nevojë e brendshme për drejtësi, por nga presione dhe interesa politike ndërkombëtare, duke paralajmëruar se drejtësia selektive dhe njëetnike nuk shëron plagë, por i thellon ato.
Në fund, Lëvizja rithekson qëndrimin e saj se çlirimi nuk është krim, rezistenca nuk është ndërmarrje kriminale dhe historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet nga aktakuza që, sipas saj, i shërbejnë narrativës së agresorit.
