LVV akuzon Gjykatën Kushtetuese për mungesë konsistence dhe “abus de droit” në rastin e nënkryetarit të Kuvendit
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ashpër ndaj njoftimit të Gjykatës Kushtetuese për rastin KO325/25, të paraqitur nga Lista Serbe kundër zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit, Nenad Rashiq, duke e cilësuar vendimin si thellësisht inkohorent dhe në kundërshtim me parimin e sigurisë juridike.
Foto: Ilustrim
Sipas LVV-së, Gjykata Kushtetuese ka ndryshuar qëndrimin e saj brenda vetëm katër muajsh për të njëjtën çështje kushtetuese, pa asnjë ndryshim normativ apo faktik.
Në aktgjykimin KO265/25, Gjykata kishte konstatuar se kufizimi i propozimit të të njëjtit kandidat më shumë se tre herë vlejti edhe për rastin e nënkryetarëve, ndërsa tani ka mbajtur qëndrim të kundërt.
LVV vlerëson se një veprim i tillë cenon parimin e parashikueshmërisë së së drejtës dhe dëmton besimin e qytetarëve në rendin kushtetues.
Sipas reagimit, ky ndryshim nuk mund të konsiderohet zhvillim i jurisprudencës, por përbën një përdorim formal të kompetencës gjyqësore për të krijuar norma të reja, duke marrë karakterin e “abus de droit”.Në reagim thuhet se Gjykata Kushtetuese po e tejkalon rolin e saj interpretues dhe po shndërrohet në një aktor me ndikim politik, duke krijuar kritere që Kushtetuta nuk i njeh.
LVV thekson se Kushtetuta e Republikës së Kosovës është e qartë: nënkryetari i Kuvendit nga komuniteti serb zgjidhet nga radhët e deputetëve të këtij komuniteti dhe me shumicën e votave të Kuvendit, pa kushte shtesë për përfaqësim partiak apo legjitimitet të brendshëm komunitar.Sipas LVV-së, interpretimi aktual i Gjykatës Kushtetuese po krijon në praktikë një të drejtë vetoje për një subjekt të vetëm politik – Listën Serbe – duke devijuar nga fryma e Propozimit gjithëpërfshirës të Ahtisarit, i cili njeh përfaqësimin e komuniteteve dhe jo dominimin e një partie të vetme.
Në fund, LVV vlerëson se çdo interpretim që sakrifikon funksionalitetin demokratik të institucioneve për interesa të një subjekti politik që nuk e njeh shtetin e Kosovës, nuk e mbron rendin kushtetues, por e dëmton atë.
