Lirohet mielli në Kosovë, buka jo!
Çmimi i grurit dhe miellit në Kosovë është ulur rreth 25 për qind, mirëpo furrtarët vazhdojnë të mos ulin çmimin e bukës. Furrtarët arsyetohen se i kanë rritur pagat e puntorëve dhe se ka shtrenjëtim të energjisë elektrike, me ç’rast as nuk premtojnë ulje të shpejtë të çmimeve të prodhimeve të tyre. Aktualisht, çmimi për […]
Çmimi i grurit dhe miellit në Kosovë është ulur rreth 25 për qind, mirëpo furrtarët vazhdojnë të mos ulin çmimin e bukës. Furrtarët arsyetohen se i kanë rritur pagat e puntorëve dhe se ka shtrenjëtim të energjisë elektrike, me ç’rast as nuk premtojnë ulje të shpejtë të çmimeve të prodhimeve të tyre. Aktualisht, çmimi për 100 kilogramë miell blihet deri në 44 euro.
Në anën tjetër, qytetarët kërkojnë uljen e çmimit të bukës, të cilët paguajnë 0.50 euro për gjysmë kilogrami bukë. Derisa në disa vende, si në Fushë Kosovë, ky çmim është deri në 0.60 euro.
Kryetari i Shoqatës së Mullistëve të Kosovës, Muhamet Farizi thotë për KosovaPress se furrtarët duhet t’i ulin çmimet, nëse miellin e marrin me çmim më të ulët.
“Varshmëria e çmimit të miellit varion edhe prej çmimit të grurit dhe gjithashtu buka duhet të varet prej çmimit të miellit, pasi janë të lidhura reciprocikisht. Çmimi i miellit ka rënë prej 20 deri në 25 për qind, varësisht nuk i kanë të njëjta çmimet e miellit, sepse nuk ka marrëveshje mes njërit-tjetrit që të shkojnë çmimet njësoj, por mos të bazoheni në vetëshërbime, bazohuni te çmimi i mullistit. Duhet të bie edhe çmimi i bukës, por nuk presim në vlerë shumë të madhe, mund të bjerë deri në 15 për qind.”, thotë Farizi.
Megjithatë, edhe pas rënies së çmimit të grurit dhe miellit, furrtarët vazhdojnë t’i mbajnë çmimet e larta.
Pronari i një furre në Prishtinë, Armend Qoqaj thotë për KosovaPress se pavarësisht uljes së çmimit të grurit dhe miellit, obligimet janë të mëdha dhe në asnjë formë nuk mund t’i ulin çmimet.
Edhe qytetarët mendojnë se çmimi i bukës është i lartë dhe i njëjti duhet të ulet.
Kryetari i Shoqatës së Mullistëve të Kosovës, Farizi thotë se tashmë gjendja botërore e pordhimtarisë së grurit është stabilizuar dhe se kjo ka ndikuar që të ketë edhe rënie të çmimit.
Gjatë vitit të kaluar e deri në prill të vitit 2023, Kosova ka importuar grurë dhe miell në vlerë prej mbi 55 milionë eurosh, ndërsa vlera e eksporteve të këtyre produkteve ka qenë nën 2 milionë euro.