Ligji për Sigurimet Shëndetësore në Kosovë shihet si parakusht për rritjen ekonomike

para 33 dite

Ligji i Sigurimeve Shëndetësore në Kosovë, i sapomiratuar, ishte temë kryesore e diskutimit në konferencën vjetore të organizuar nga Asociacioni i Spitaleve Private të Kosovës (ASPK).

Ligji për Sigurimet Shëndetësore në Kosovë shihet si parakusht për rritjen ekonomike

Ky ligj u mirëprit nga pjesëmarrësit si një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të sistemit shëndetësor dhe rritjes së qëndrueshme ekonomike të vendit.

Amir Keka, drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes sektorit publik dhe atij privat për të krijuar një sistem shëndetësor më efikas dhe gjithëpërfshirës.

“Bashkëpunimi mes sektorëve është një mundësi që sjell përfitime për pacientët dhe për vetë sistemin shëndetësor. Sektori publik siguron shërbime për të gjithë qytetarët, ndërsa sektori privat ofron fleksibilitet dhe mundësi të avancuara. Kjo ndërveprimësi mund të ndihmojë në edukimin për shëndetin, trajtimin e sëmundjeve kronike dhe promovimin e parandalimit,” tha Keka.

Ai shtoi se Fondi është i gatshëm për bashkëpunim dhe se implementimi i ligjit do të ndihmojë në adresimin e sfidave ekzistuese, duke përmirësuar mbështetjen për pacientët dhe duke rritur efikasitetin e programeve të trajtimeve jashtë institucioneve publike.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, vlerësoi sigurimin shëndetësor si një element kyç për zhvillimin ekonomik të vendit.

“Punonjësit e shëndetshëm ndihmojnë në rritjen e produktivitetit të kompanive, dhe kompanitë produktive janë forca lëvizëse e përparimit ekonomik. Sigurimi shëndetësor i popullatës, sidomos i punonjësve, është një parakusht thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social,” tha Rafuna.

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e Këshillit Nacional për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë dhe Këshillit Ekonomiko-Social si platforma të domosdoshme për koordinimin dhe realizimin e objektivave në këtë fushë.

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, paralajmëroi se implementimi i Ligjit për Sigurime Shëndetësore kërkon përgatitje të plotë nga autoritetet përkatëse.

“Ky ligj ofron një mundësi për transformimin e sistemit të kujdesit shëndetësor, duke siguruar qasje më të madhe dhe cilësore në shërbime për qytetarët. Megjithatë, është e rëndësishme që të sigurohen kapacitete të mjaftueshme infrastrukturore dhe teknike përpara zbatimit të tij,” tha Zeka.

Ai shtoi se partneriteti mes sektorëve publik dhe privat është esencial për arritjen e qëllimeve dhe për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve shëndetësore në vend.

Etiketat

Ofertat e fundit