OEK: Viti 2024 do të përmbyllet me rritje ekonomike 4.2%

18.12.2024

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka mbajtur Kuvendin vjetor, ku anëtarët u informuan për punën, arritjet dhe sfidat me të cilat Oda dhe vendi janë përballur gjatë vitit 2024.

Kryetari i OEK, Lulzim Rafuna, theksoi se ky vit ka qenë një periudhë dinamike, me suksese të rëndësishme, por edhe me sfida ekonomike.

Sipas Rafunës, Kosova pritet të mbyllë vitin me një rritje ekonomike prej 4,2%, një trend që pritet të vazhdojë edhe në vitin 2025. Ai vuri në dukje se inflacioni është kthyer në nivelin e para pandemisë, rreth 3%, sipas raportit të Bankës Botërore.

“Megjithëse kemi një rritje ekonomike prej 4,2%, kjo nuk përfaqëson një arritje të jashtëzakonshme dhe është afër mesatares së viteve të fundit. Sfidat e mjedisit makroekonomik mbeten të ndërlidhura me faktorë të jashtëm si politikat e administratës së re amerikane dhe zhvillimet në Gjermani,” tha Rafuna.

Rafuna ngriti shqetësimin për deficitin e lartë tregtar të vendit, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga qeveria për të rritur prodhimin dhe ulur importet. Sipas të dhënave, vlera e importeve për vitin 2024 arriti në 5.7 miliardë euro.

Në lidhje me investimet, kryetari i OEK raportoi një rritje të vogël prej 6,2% në investimet e huaja, të cilat kryesisht janë drejtuar në sektorin e patundshmërive dhe jo në prodhim.

Gjatë vitit 2024, OEK ka organizuar mbi 50 vizita dhe ka nënshkruar 21 marrëveshje bashkëpunimi. Sipas Venera Rexhës, Drejtoreshë e Departamentit për Projekte dhe Investime, OEK ka organizuar një sërë forumesh ekonomike ndërkombëtare, duke përfshirë:

  • Forumin Ekonomik Kosovë-Arabi Saudite më 29 shkurt
  • Forumin Ekonomik Kosovë-Portugali më 19 qershor
  • Forumin Ekonomik Kosovë-Greqi më 5 shtator

Këto forume kanë bashkuar mbi 300 kompani kosovare dhe 180 kompani ndërkombëtare, duke krijuar mundësi të reja për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar.

Drejtoresha e Departamentit të Financave, Eralda Kurtaj, bëri të ditur se gjatë dy viteve të fundit, OEK ka trefishuar buxhetin e saj, duke arritur në 960 mijë euro për vitin 2024.

“Të hyrat nga trajnimet janë rritur ndjeshëm, ndërsa qiratë dhe anëtarësimet kanë kontribuar gjithashtu në rritjen e të ardhurave të OEK,” tha Kurtaj.

Në fund të takimit, Kuvendi i OEK vendosi formimin e një anëtarësie të re për arbitrazh, një hap që synon të përmirësojë mjedisin për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ekonomike.