Librat falas edhe për vitin e ardhshëm shkollor 2023/2024
Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se edhe vitin e ardhshëm shkollor 2023/2024, të gjitha tekstet shkollore nga klasa e parë deri në të pestën do të shpërndahen falas, ndërsa nxënësit e klasave të gjashta deri në të nëntën do t’i përdorin tekstet e vitit paraprak. Njohës të çështjeve të arsimit po vlerësojnë së […]
Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se edhe vitin e ardhshëm shkollor 2023/2024, të gjitha tekstet shkollore nga klasa e parë deri në të pestën do të shpërndahen falas, ndërsa nxënësit e klasave të gjashta deri në të nëntën do t’i përdorin tekstet e vitit paraprak.
Njohës të çështjeve të arsimit po vlerësojnë së një pjesë e madhe e tyre nuk mund të përdoren, pasi janë të plotësuara nga nxënësit e vitit paraprak.
Edhe vitin e ardhshëm shkollor 2023/2024, Ministria e Arsimit ka vendosur që t’i shpërndajë falas librat për nxënësit nga klasat e para deri në të pestën, ndërsa nxënësit e klasës së gjashtë deri të nëntën do t’i përdorin tekstet e vitit paraprak. Kështu ka bërë të ditur në një përgjigje me shkrim për Radio Kosovën Ministria e Arsimit.
“Për vitin shkollor 2023-2024, nxënësit e klasave (I-V) do të pajisen me tekste të reja shkollore, ndërsa nxënësit e klasave (VI-IX) do t’i përdorin tekstet e vitit paraprak, siç e përcakton edhe UA 213/2016. MASHTI ka filluar me procesin e grumbullimit dhe përgatitjes së të dhënave për numrin e nxënësve të cilët duhet të furnizohen me tekste të reja shkollore, për vitin shkollor 2023-2024, thuhet në përgjigjën e Ministrisë së Arsimit.”
Se tekstet shkollore për të gjithë nxënësit e Shkollës fillore të mesme të ulët duhet të sigurohen nga shteti e thonë njohës të arsimit. Xhavit Rexhaj, i tha Radio Kosovës së edukimi fillor është obligim i shtetit për arsye se disa prindër e kanë vështirë t’i sigurojnë tekstet shkollore për fëmijët e tyre.
“Shteti duhet të shpërndajë tekste shkollore, sepse edukimi i obliguar deri në klasën e nëntë është obligim i shtetit. Duhet t’i shpërndajë sepse disa prindër e kanë të vështirë t’i sigurojnë kushtet për mësim e sidomos kur rriten edhe çmimet e të tjera”, tha ai.
Ndërkaq, për sa i përket teksteve të vjetra ku drejtuesit e shkollave kanë kërkuar nga nxënësit që t’i kthejnë të gjitha tekstet nga klasa e parë deri në të nëntën, Rexhaj tha se disa prej tyre nuk mund të përdoren, për arsye se fëmijët gjatë procesit mësimore e kanë për detyrë t’i plotësojnë.
“Disa tekste mund të përdoren prapë, por disa të tjera nuk mund të përdoren p.sh: fletoret e punës dhe pjesa e librit që ka ushtrime është e pakuptimtë të kërkohet të përdoren prapë. Edhe këtu mendoj që është problem çështja e kulturës, çështja e keqpërdorimit të pronës publike. Konsideroj që këtu edhe shkollat nuk janë serioze sa duhet dhe nuk punojnë sa duhet në edukimin e fëmijëve për ruajtjen e gjerave publike”, tha Rexhaj.
Po ashtu, dhe Këshilli i Prindërve dhe vetë nxënësit, thonë se tekstet e shfrytëzuara nga gjeneratat paraprake nuk mund t’u hyjnë shumë në funksion, pasi që ato ose janë dëmtuar ose janë të papërdorshme, sidomos kur bëhet fjalë për fletoret e punës.