LDK shpreh keqardhje: Qeveria me mospunë ka degraduar marrëdhëniet e vendit me partnerët ndërkombëtarë
Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e saj të tretë.
Lidhja Demokratike e Kosovës po vazhdon mobilizimin e të gjitha strukturave dhe anëtarësisë së saj në vend dhe Mërgatë. Takimet dhe aktivitetet tona po vazhdojnë degë më degë e lagje më lagje duke takuar dhe diskutuar me secilin qytetar rreth programit tonë politik ‘Rruga e Re’ i cili ofron zgjidhje për hallet e përditshme të tyre.
Lidhja Demokratike shpreh keqardhje që kjo Qeveri, me mospunën e saj ka degraduar marrëdhëniet e vendit tonë me partnerët tanë ndërkombëtar. LDK pret nga Këshilli i Evropës që të njeh të gjitha të arriturat demokratike të Kosovës që nga para shpalljes së Pavarësisë dhe të anëtarësojë Kosovën në Këshill.
Fatkeqësisht, raportet e institucioneve prestigjioze si Departamenti i Shtetit Amerikan, Freedom House dhe të tjerë konstatojnë korrupsionin e lartë të kësaj Qeverie, ndërhyrjet në institucionet e gjyqësorit, sulmet ndaj medieve dhe gazetarëve dhe një varg shkeljesh e dështimesh të cilat LDK i ka ngritur me kohë në Kuvendin e Kosovës duke i kërkuar Qeverisë së Kosovës të ndalë popullizmin dhe të kultivojë e avancojë marrëdhëniet ndërkombëtare të ndërtuara me shumë zell ndër vite.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka përcjellur me shqetësim investimin institucional të Republikës së Kosovës në përçarjen e shqiptarëve në rajon. LDK riafirmon qëndrimin e saj për bashkëpunim me të gjitha partitë politike shqiptare duke besuar në kapacitetet e tyre dhe duke mos ndërhyrë në çështjet e tyre politike apo ndërpartiake.