LDK kërkon dorëheqjen e ministrit Latifi, thotë se Kosova po përballet me pandeminë e re të paaftësisë së MSH-së
Lidhja Demokratike e Kosovës, në konferencën e sotme për medie, shprehu shqetësimin për paaftësinë e Ministrisë së Shëndetësisë. Me këtë rast, anëtari i Kryesisë, Ekrem Hyseni tha se ministri duhet të jap përgjegjësi për këto dështime. Hyseni ka thënë se ministri Latifi duhet të dorëhiqet, shkaku i dështimeve të mëdha në shëndetësi. Fjalimin e plotë […]
Lidhja Demokratike e Kosovës, në konferencën e sotme për medie, shprehu shqetësimin për paaftësinë e Ministrisë së Shëndetësisë. Me këtë rast, anëtari i Kryesisë, Ekrem Hyseni tha se ministri duhet të jap përgjegjësi për këto dështime.
Hyseni ka thënë se ministri Latifi duhet të dorëhiqet, shkaku i dështimeve të mëdha në shëndetësi.
Fjalimin e plotë të Hysenit e gjeni më poshtë:
Të nderuar përfaqësues të mediave
Pandemia e re e paaftësisë në Ministrinë e Shëndetësisë
Paaftësia e kësaj Qeverie është duke dëmtuar seriozisht shëndetin e qytetarëve.
– Paaftësia qeverisëse po i lë qytetarët pa shërbime shëndetësore.
– Profesionistët shëndetësor po i trajton me lëmoshë, gjersa investimet kapitale në këtë fushë janë realizuar vetëm 5%.
– Është kjo Qeveri që profesionistët shëndetësor vazhdon t’i trajtoj me lëmoshë, gjersa vetëm për pak kohë mbi 120 profesionistë shëndetësorë kanë lënë vendin, ndër ta edhe 40 specializantë.
– Është kjo Qeveri që javë më parë nuk ua vazhdoi kontratat mbi 1,000 pjesëtarëve të stafit mbështetës në luftën kundër pandemisë.
– Në kohën e kësaj Qeverie, përkatësisht në periudhën janar – maj 2022, mbi 520 qytetarë tanë kanë kërkuar shërim jashtë vendit.
– Në kohën e kësaj Qeverie, në QKUK, janë vetëm 48 anesteziologë, të cilët duhet të shërbejnë për 44 njësi – pra as dy sosh për njësi operuese.
– Në kohën e kësaj Qeverie, janë stërzgjatur listat e pritjes së qytetarëve për të marrë shërbimet shëndetësore, duke mbërritur deri në mesin e vitit 2023.
– Në kohën e kësaj Qeverie, mungesa e barnave në listën esenciale tashmë është bërë e zakonshme, me theks të veçantë shumë prej ilaçeve për sëmundjet malinje të cilat janë të domosdoshme për mjekimin e kësaj sëmundje të rëndë.
– Në kohën e kësaj Qeverie, sipas KDI-së, Ministria e Shëndetësisë paguan 280% më shtrenjtë 1gr Paracetamol për injeksion në krahasim me vlerën e tregut me pakicë.
– Në kohën e kësaj Qeverie është ulë buxhetin për Ministrinë e Shëndetësisë për rreth 60 milion euro.
– Në Ministrinë e Shëndetësisë, nga 15 projekte kapitale, kanë nisur vetëm 2 prej tyre, dhe atë në vlera minimale. Në këtë ministri, gjatë këtyre 6 muajve, janë shpenzuar vetëm 5 % nga buxheti për investime kapitale, më saktësisht, nga 10,063,000 euro janë shpenzuar vetëm 530,702 euro.
– Në kohën e kësaj Qeverie dominon arroganca, mosveprimi, propaganda, jo dëgjueshmëria profesionale, tipare këto të qeverisjeve të paafta dhe populiste, ndaj dhe kjo qeveri nuk bën përjashtim me sjelljen e saj.
– Në kohën e kësaj Qeverie, përkundër të gjithave e gjithçkaje, ne si parti opozitare kemi ofruar Ligjin për Shëndetësinë, në mënyrë që t’ju dalim në mbrojtje qytetarëve dhe profesionistëve shëndetësor, ndërsa si kundërpërgjigje kemi marrë padëgjueshmërinë.
– Kjo Qeveri e përjashton një Ligj të gatshëm vetëm e vetëm se e ka ofruar opozita, duke humbur kështu kohë për më shumë se një vit.
-Këto janë vetëm disa nga dështimet e fundit të kësaj Qeverie, që e bëjnë epilogun e tmerrshëm në fushën e shëndetësisë, ku burim parësor definitivisht e kanë paaftësinë.
-Mos të harrojmë se, kohë më parë, Ministri i Shëndetësisë, ka deklaruar se në rast dështimi ai kthehet nga ka ardhur.
-Së pari është e frikshme se si vetëm ai dhe Qeveria e tij nuk po e sheh dështimin e tyre të thellë edhe në shëndetësi.
-Së dyti, nëse këta që kanë dështuar vendosin edhe ta pranojnë dështimin, i bie që ministri në fjalë mjaftohet me ikje nga vendi.
-Kësaj Qeverie, edhe sot i bëjmë thirrje dhe i themi që: provo për të dëgjuar, provo për të mësuar dhe në fund për të punuar, ndryshe do të mbeteni vula e dështimit dhe dëmtimit të shëndetit të krejt qytetarëve të vendit.