Lajçak përfundon mandatin me kritika, Sorensen merr stafetën

31.01.2025

Sot përfundon mandati i emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Një ditë më pas, detyrën e tij do ta marrë diplomati danez, Peter Sorensen.

Mandati i Lajçakut u shënua nga kritika të shumta, veçanërisht nga eurodeputetët. Ata i shprehën atij shqetësimin se qasja e pabalancuar e BE-së ndaj Kosovës dhe Serbisë ka ndikuar negativisht në ecurinë e dialogut.

Në një takim lamtumirës me eurodeputetët, i cili u zhvillua me dyer të mbyllura, shumica e tyre kritikuan ashpër mënyrën se si BE-ja u është qasur palëve në dialog, si dhe raportet e përgjithshme me shtetet e rajonit.

Eurodeputetët theksuan se masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës, pas tensioneve në veri të vendit dhe sulmit të armatosur në Banjskë, kanë dëmtuar dialogun. Ata kërkuan heqjen e këtyre masave dhe një qasje më të balancuar nga BE-ja.

Ndërkohë, emisari i ri, Peter Sorensen, në takimin me eurodeputetët u shpreh se BE-ja duhet të mbajë rol kryesor në lehtësimin e dialogut dhe angazhimin e saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë mandatit pesëvjeçar të Lajçakut, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksin e zbatimit të saj. Megjithatë, zbatimi i këtyre marrëveshjeve mbetet sfidë.

Me fillimin e mandatit të Sorensen, pritet një qasje e re ndaj dialogut, ndonëse sfidat mbeten të njëjta.