Kurti uron 1 Qershorin: Fëmijët motivi ynë për një shoqëri më të mirë

01.06.2025

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka uruar sot 1 Qershorin, Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, duke theksuar se një shoqëri bëhet më e mirë kur fëmijët janë motivi kryesor i të rriturve.

Shoqëria bëhet më e mirë atëherë kur fëmijët janë motivi i të rriturve. Kur e ardhmja që ata janë, nuk trajtohet si diçka e largët që na pret, por si e përditshmja për të cilën kujdesemi dhe përgatitemi. Jo vetëm si prindër e familjarë, por edhe si shtet e qeveri. Për lumturinë dhe harenë që na japin pamasë, u detyrohemi dashuri dhe mbështetje pa kushte,” ka shkruar Kurti në një postim në rrjetin social Facebook.

Kurti ka përmendur gjithashtu adaptimin e shtesave për fëmijë dhe për nënat lehona nga niveli qendror në atë lokal, si një hap konkret në mbështetje të fëmijëve dhe familjeve.

“Fëmijët tanë kanë nevojë për të ndjerë dorën e shtetit, e dora e shtetit asnjëherë nuk ka qenë më pranë tyre. Le të punojmë bashkë e edhe më fortë që fëmijëve në mbarë vendin t’ua ndërtojmë të ardhmen që ata e meritojnë; të kujdesemi që çdo fëmijë të ketë shtratin e butë e shtëpinë e sigurt, ushqimin e mirë, shkollimin cilësor, të drejtat që u respektohen dhe mundësitë e barabarta,” ka përfunduar urimin e tij Kryeministri në detyrë.