Kurti: Sulmi në Ibër-Lepenc ishte akt i kryer nga profesionistë terroristë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një konference të përbashkët me homologun e tij kroat, Andrej Plenkoviq, ka denoncuar ashpër sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, duke e lidhur atë drejtpërdrejt me Serbinë.
Kurti e ka cilësuar sulmin si një akt të ri të terrorizmit, duke theksuar se për herë të parë shënjestra ka qenë popullsia civile përmes dëmtimit të infrastrukturës vitale siç është furnizimi me ujë dhe energji elektrike.
“Ky sulm i fundit që është bërë nga profesionistë terroristë në kanalin e “Ibër-Lepecit” është i ri për nga natyra, në kuptimin që tash është shënjestruar popullsia civile. Më herët kemi pasur sulme ndaj Policisë së Kosovës, ndaj ndërtesave zyrtare komunale, por kësaj radhe në shënjestër është popullsia civile sepse furnizimi me ujë dhe prodhimi i energjisë, që është jetik edhe për qytetarët edhe për bizneset, ka qenë shënjestër”, ka deklaruar Kurti.
Kryeministri ka theksuar se hetimet janë në vazhdim dhe se janë arrestuar disa persona të dyshuar. Gjithashtu, ai ka bërë të ditur se gjatë bastisjeve janë konfiskuar një sasi e madhe armësh, municioni, si dhe uniforma dhe emblema të njësive të ndryshme ruse.
“Duhet të presim cili do të jetë përfundimi i këtyre hetimeve, por ne konsiderojmë që gjithçka tregon që këtë nuk e kanë bërë qytetarë të zakonshëm dhe se na bëjnë të besojmë që një sulm i tillë vjen i mbështetur, i orkestruar nga Serbia siç ishte sulmi në Banjskë apo atë me sulmin mbi KFOR-in, apo edhe rrëmbimi i tre policëve tanë në Leposaviq”, ka shtuar Kurti.
Kurti ka theksuar se kufri i gjatë me Serbinë dhe relievi malor i zonës bëjnë të vështirë kontrollin e plotë të kufirit, por se Kosova është e vendosur të mbrojë sigurinë e qytetarëve të saj.