Kurti: Rreth 37 milionë euro për Banimin Social Adekuat në 21 komuna
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se bashkë me ministrat Fitore Pacolli-Dalipi dhe Andin Hoti ka prezantuar projektin për Banimin Social Adekuat, me një vlerë të përgjithshme prej rreth 37 milionë eurosh.
Foto: Ilustrim
Sipas Kurtit, projekti do të shtrihet në 21 komuna të Kosovës dhe parasheh ndërtimin e 773 njësive të banimit për familjet përfituese.
Ai ka theksuar se komunat do të kenë rol të rëndësishëm në zbatimin e projektit, përfshirë procedurat e prokurimit dhe përzgjedhjen e familjeve përfituese.
Kurti ka thënë se investimi synon përmirësimin e mirëqenies së familjeve dhe krijimin e kushteve më të mira për jetë, duke e cilësuar banimin social si një prej fushave të vendosura në fokus të punës së Qeverisë.
Ndërkohë, sipas tij, po avancon edhe projekti i Banimit të Përballueshëm dhe Social, i cili aktualisht është në fazën e zbatimit në Pejë, Istog, Podujevë dhe Gjilan.
Kurti ka deklaruar se e drejta për banim dhe barazia mbeten ndër vlerat mbi të cilat synohet të ndërtohen politikat sociale të shtetit.
