Kurti në takim me Szunyog: Kosovës i nevojitet vizion dhe lidership më i fortë i BE-së

10.09.2020

Albin Kurti është takuar sot me shefin e sapo emëruar të zyrës së Bashkimit Evropian, Tomáš Szunyog dhe zëvendës shefin e Zyres së BE-së, z. Riccardo Serri. Ambasadori Szunyog në këtë takim ka njoftuar Kurtin mbi synimet e tij gjatë mandatit katër vjeçar, e të cilat kanë për qendër të vëmendjes zhvillimin ekonomik dhe krijimin […]

Kurti në takim me Szunyog: Kosovës i nevojitet vizion dhe lidership më i fortë i BE-së Foto: Ilustrim

Albin Kurti është takuar sot me shefin e sapo emëruar të zyrës së Bashkimit Evropian, Tomáš Szunyog dhe zëvendës shefin e Zyres së BE-së, z. Riccardo Serri.

Ambasadori Szunyog në këtë takim ka njoftuar Kurtin mbi synimet e tij gjatë mandatit katër vjeçar, e të cilat kanë për qendër të vëmendjes zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës në Kosovë.

Szunyog në këtë takim tha se e ardhmja e vetme për Kosovën është në BE, dhe se kjo duhet të konsiderohet si përfundim i pashmangshëm e jo si alternativë.

Tutje ai paralajmëroi planin e ri të investime të BE-së në Kosovë, duke filluar nga fillimi i tetorit të këtij vitit.

Gjithashtu edhe Albin Kurti në këtë takim ka njoftuar Ambasadorin Szunyog se për të dhe Lëvizjen Vetëvendosje zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të reja të punës, bashkë me shtetin e së drejtës që lufton korrupsionin, përbëjnë boshtin e platformës qeverisëse, e cila është synuar gjatë Qeverisë Kurti dhe do të jetësohet gjatë Qeverisë Kurti 2.

Ekonomia dhe zhvillimi i saj janë tejet të rëndësishme dhe duhet të trajtohen ashtu, pra si prioritet kryesor. Ajo është diga që parandalon migrimin e mëtutjeshëm të qytetarëve tanë jashtë Kosovës dhe në të njëtën kohë është ura që mundëson rikthimin e trurit në Kosovë, është shprehur Kurti. 

Gjithashtu sa i përketë  relacionit të Kosovës me BE-në, z. Kurti shprehu përkushtimin për integrim evropian dhe reforma të gjithanshme. 

Kurti gjithashtu ka thënë se për Kosovën sikurse dhe për pesë shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor nevojitet një vizion dhe lidership më i fortë i BE-së në këto kohëra dinamike e të krizave të ndryshme.