Kurti në Jerevan: Takime me liderë evropianë në kuadër të Samitit të EPC
Në Jerevan, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC), Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në darkën zyrtare të organizuar nga Presidenti i Armenisë, Vahagn Khachaturyan.
Gjatë pritjes, Kurti u mirëprit nga Kryeministri armen Nikol Pashinyan dhe Kryetari i Kuvendit Alen Simonyan.
Në këtë aktivitet morën pjesë liderë dhe përfaqësues të lartë nga vende të ndryshme evropiane, me të cilët Kurti zhvilloi bashkëbisedime mbi zhvillimet aktuale në Evropë dhe më gjerë.
Sipas tij, diskutimet u përqendruan edhe në mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Gjatë mbrëmjes, ai pati takime me Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer, Presidentin e Këshillit Evropian António Costa, Presidentin e Zvicrës Guy Parmelin, si dhe Zëvendëspresidenten e Bullgarisë Iliana Iotova.
Po ashtu, Kurti zhvilloi takime edhe me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, Presidentin e Malit të Zi Jakov Milatović, Kryeministrin e Norvegjisë Jonas Gahr Støre, Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së Feridun H. Sinirlioğlu, Kryeministrin e Andorrës Xavier Espot Zamora, anëtarin e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës Denis Bećirović, si dhe Kryeministren e Lihtenshtajnit Brigitte Haas.
Takimet u vlerësuan si një mundësi për shkëmbim idesh dhe forcim të lidhjeve ndërmjet vendeve pjesëmarrëse në këtë forum të rëndësishëm evropian.
