Kurti: Kam nderin që jemi qeveria e parë që e çon mandatin deri në fund
Kryeministri Albin Kurti ka bërë prezantimin e Projektligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka prezantuar para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, buxhetin për vitin 2025.
Ai u shpreh krenar që buxheti i Kosovës sipas tij është rritur në 60% pas vitit 2020.
“Kam nderin që jemi qeveria e parë që e çon mandatin deri në fund. Buxheti i vitit 2025 është 3.6 miliardë, 60% më shumë se ai i vitit 2020. Është buxheti i katërt që po e prezantojmë para kuvendit në këtë mandat”, tha Kurti.
Kurti e quajti buxhetin e vitit 2025 buxhet për familjen sepse tha se secila familje do të përfitojë.
“Në një familje të re që ka tre fëmijë nëna lehonë fiton për 6 muaj nga 170 euro apo 1020 euro gjithsej, ndërkaq për fëmijët i marrin nga 90 euro në muaj apo 1080 euro në vit, asnjë qeveri nuk ka mbështetur nënat e fëmijët, vazhdoi ai duke përmendur ndihmat e lehtësuar që kanë bërë edhe për studentët, familjet e dëshmorëve të në kategori të tjera.
“Kontributi kryesor në rritjen ekonomike gjatë periudhës së ardhshme afatmesme 2025 -2027 pritet të vijë nga konsumi investime publike e privati. Konsumi do të rritet nga 4 lloj rritje. Rritja e pensioneve në masën prej 20 për qind në të gjitha kategoritë e pensionit të moshës dhe pensionet e përcaktuara me ligjin për kategoritë e luftës, rritja për shtesat e fëmijëve, rritja e koeficientit për të gjithë të punësuarit në sektorin publik si dhe rritja e pagës minimale që ndodhë pas më shumë se pas një dekadë stagnimi. Në këtë buxhet e kemi prioritet arsimin e shëndetësinë, por edhe infrastrukturën e mbrojtjen”, tha kryeministri.
Kryeministri Kurti ka theksuar se buxheti për vitin 2025 është projektuar të jetë 3.6 miliard euro.