Kur pritet të fillojnë të paguajnë më shtrenjtë konsumatorët që harxhojnë mbi 600 kWh energji

18.01.2022

Nëse ky propozim i ZRRE-së miratohet, atëherë së aplikuari do të fillojë nga 1 shkurti. Sipas raportit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, këto tarifa do të jenë të aplikueshme deri më datën 31 mars të vitit 2023. “Në një proces të ndarë të shqyrtimit të jashtëzakonshëm, të publikuar në ueb-faqen e ZRRE-së krahas këtij […]

Kur pritet të fillojnë të paguajnë më shtrenjtë konsumatorët që harxhojnë mbi 600 kWh energji Foto: Ilustrim

Nëse ky propozim i ZRRE-së miratohet, atëherë së aplikuari do të fillojë nga 1 shkurti.

Sipas raportit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, këto tarifa do të jenë të aplikueshme deri më datën 31 mars të vitit 2023.

“Në një proces të ndarë të shqyrtimit të jashtëzakonshëm, të publikuar në ueb-faqen e ZRRE-së krahas këtij raporti, ZRRE ka vlerësuar se të Hyrat Maksimale të Lejuara që mbulojnë kostot e arsyeshme të shërbimit me energji elektrike janë €446.7 milionë.

Kjo pjesë e raportit konsultativ ofron propozimin e ZRRE-së për nivelin e tarifave të energjisë elektirke që do të jenë të aplikueshme për periudhën 1 shkurt 2022-31 mars 2023 për të mbluar nivelin e kostove të arsyeshme…”, thuhet në raport.

Ndryshe, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 600 kWh energji elektrike tarifat do të mbeten të njëjta, ndërkaq për ata konsumatorë që shpenzojnë më shumë se 600 kWh, tarifat do të ndryshojnë.

Duke u bazuar në propozimin e ZRRE-së, bëhet e ditur se tarifat për konsumatorët me 800 kWh shpenzim të rrymës në muaj të rriten në vlerë prej 13.31 eurosh.

Ndërkaq, konsumatorët që shpenzojnë 1000 kWh energji elektrike në muaj, tarifat do të pësojnë rritje prej 24.62 euro.

Ndryshe, palët që dëshirojnë të shprehin mendimet e tyre për qëndrimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë kanë afat që ta bëjnë këtë deri më 28 janar, në orën 18:00.

“ZRRE-ja u ofron kompanive të rregulluara dhe konsumatorëve mundësinë që të shqyrtojnë dëshmitë dhe pikëpamjet e paraqitura në këtë raport konsultativ, me të cilat ata mund të mos pajtohen, dhe të komentojnë ato duke korrigjuar një gabim faktik, duke paraqitur kundër argumente ose duke ofruar të dhëna të reja të cilat ZRRE-ja mund të mos i ketë marrë parasysh.

Palët që dëshirojnë të shprehin mendimet e tyre për qëndrimin e ZRRE-së ftohen t’i dorëzojnë komentet e tyre me shkrim në adresën ero.pricing-tariffs@ero-ks.org jo më vonë se 28 janar 2022, deri në ora 18:00h”, thuhet në raport.