Kur dashuria bëhet traditë, DKA-Suharekë i jep zemër Ditës së Fëmijëve në IP “Fluturat”
Sot, gjatë ditës së enjte, më 20 nëntor, në çerdhen IP “Fluturat” është shënuar Dita Ndërkombëtare e Mbrojtjes dhe të Drejtave të Fëmijëve.
Ky aktivitet u mbështet nga Drejtoria e Arsimit në Suharekë, e cila tash e tre vite përkrah organizime të tilla në institucionet edukative të komunës.

Në kuadër të aktivitetit, nxënësit dhe stafi i SHFMU “Destan Bajraktari” dorëzuan dhurata për fëmijët e çerdhes “Fluturat”, duke sjellë gëzim dhe emocione tek më të vegjlit.
Drejtori i DKA-Suharekë, Remzi Bajselmani, në një prononcim për SuharekaOnline tha se kjo traditë tashmë vjetore është mirëpritur nga drejtoria që ai drejton.
“DKA-Suharekë gjithmonë mbështet aktivitete të tilla, sepse prioritet i ynë është mirëqenia e fëmijëve dhe krijimi i hapësirave të ngrohta dhe me plot dashuri, sidomos për të vegjlit që e fillojnë rrugëtimin e dijes në këto institucione,” u shpreh Bajselmani.

Ai po ashtu njoftoi se në këtë çerdhe aktualisht janë rreth 200 fëmijë dhe afër 25 pjesëtarë të stafit, të cilët kujdesen çdo ditë për edukimin, socializimin dhe mirëqenien e tyre.
Edhe drejtoresha e IP “Fluturat”, Arlinda Bajraktari, vlerësoi kushtet dhe cilësinë e shërbimeve në çerdhe, duke theksuar se institucioni ofron standarde të larta në edukimin dhe kujdesin ndaj fëmijëve.

“Në çerdhen e re IP ‘Fluturat’ kushtet janë të jashtëzakonshme, duke filluar nga edukimi i fëmijëve, socializimi e deri te ushqimi që ofrohet për ta. Kemi rreth 200 të vegjël që çdo ditë bashkohen për t’u edukuar dhe socializuar, dhe një staf që funksionon në harmoni të plotë,” tha Bajraktari.

Kjo ditë e veçantë u mirëprit me shumë kënaqësi edhe nga prindërit e fëmijëve. Ata u shprehën se dhuratat dhe aktivitetet e dedikuara fëmijëve në ditë të tilla janë shumë të vlerësuara dhe krijojnë emocione pozitive për ta.
Gjatë këtij aktiviteti, drejtori i DKA-Suharekë, Remzi Bajselmani poashtu, përshëndeti edhe punonjëset e kuzhinës në këtë institucion, te cilat përkujdesën për ushqimin e fëmijeve, ku u interesua edhe për kushtet e punës. Poashtu, ai theksoi se dikasteri i tij përveç drejtorëve e mësimdhënësve vlerëson punën e jashtëzakonshme të stafit ndihmës.

Çfarë është 20 nëntori dhe kujt i kushtohet?
20 nëntori shënohet si Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve dhe njëkohësisht Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Fëmijëve. Kjo datë ka rëndësi të madhe historike, sepse më 20 nëntor 1959 u miratua Deklarata Universale e të Drejtave të Fëmijës, ndërsa më 20 nëntor 1989 u miratua Konventa për të Drejtat e Fëmijës, dokumenti më i rëndësishëm ndërkombëtar që garanton mbrojtjen dhe të drejtat themelore të çdo fëmije pa dallim.
Kjo ditë u kushtohet:
- mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve në mbarë botën
- promovimit të mirëqenies, edukimit dhe sigurisë së tyre
- ndërgjegjësimit të shoqërisë për rëndësinë e investimit në fëmijëri
- krijimit të një mjedisi të sigurt, pa dhunë dhe me dashuri për çdo fëmijë
20 nëntori është një thirrje globale për institucione, prindër dhe komunitete që të punojnë së bashku për një botë më të drejtë dhe më të mirë për fëmijët.