Kupchan: Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë duket se po kthehen prapa dhe s’po ecin përpara
Ish-drejtori i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Charles Kupchan, ka folur lidhur me procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një intervistë për REL-in, Kupchan ka thënë se pavarësisht faktit se Marrëveshja e Ohrit, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, është në tryezë, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë duket se po kthehen prapa dhe nuk po ecin përpara.
Ai ka kritikuar kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, për të cilin thotë se ka bërë disa veprime të panevojshme provokuese.
“Unë mendoj se kryeministri Kurti është duke bërë disa veprime të panevojshme provokuese. Ka qenë çështja e letërnjoftimeve, e targave, e instalimit të kryetarëve [shqiptarë] në veri, për të cilët ka votuar një përqindje shumë e vogël e banorëve… tani u thotë serbëve se nuk mund t’i përdorin dinarët më, ekziston vetëm një monedhë zyrtare dhe ajo është euroja.
A i ka të justifikueshme këto gjëra? Po, sepse çdo vend sovran duhet të jetë në gjendje të thotë se ne kemi monedhën tonë, euro… ose të ketë një autoritet përgjegjës për lëshimin e targave.
Por, duket se Kurti po i ndërmerr këto veprime duke luajtur me një kartë nacionaliste – me ç’gjë e vështirëson përparimin e Marrëveshjes së Ohrit”, ka thënë Kupchan.