Kryetari i SBAShK-ut përsëri me ultimatum: Plotësoni kërkesat tona, ose greva është e pashmangshme

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj ka përsëritur ultimatumin për Qeverinë në ardhje që të plotësojnë kërkesat e kësaj sindikate ose greva është e pashmangshme.

Ai potencon se ky nuk është kërcënim, por që nëse ekzekutivi heziton të marr për bazë kërkesa e tyre, atëherë s’do të kenë konsideratë.

“Letër zyrtare nuk kemi kërkuar, nuk kemi dashur t’i paraprijmë gjërat, ne kemi dashur që të presim që të krijohen institucionet dhe ne kemi thënë publikisht që edhe qeveria Kurti duhet të përgatitet për dy opsione, ose të zgjedh opsionin e dialogut me ne që të realizojmë kërkesat ose nëse heziton dhe nuk i përfill kërkesat tona le ta dijë edhe Qeveria Hoti, mos ta merr kërcënim se ne kur i harxhojmë të gjitha mundësitë dhe kur mungon dialogu ne pastaj e respektojmë vullnetin e anëtarësisë dhe pavarësisht se kush e udhëheq Kosovën ne grevat nuk i përjashtojmë sepse nëse dialogu nuk funksionon mënyra  e vetme e lejuar me ligj është greva.

Fatkeqësisht grevat po ndodhin në arsim gjë që nuk e dëshirojmë sepse po dëmtohen ata që pastaj nuk kanë asnjë faj e që janë nxënësit”, tha Jasharaj.

Tutje Jasharaj tha që SBAShK-u pret krijimin e institucioneve sa më shpejtë, sepse ka kërkesa që duhet realizuar dhe se veç ata kanë tri kërkesa urgjente që duhet përmbushur.

Ai po kërkon që Ministrinë e Arsimit ta udhëheq dikush që ka përvojë në këtë lami, përderisa për Ligjin e Pagave shtoi se duhet të përmirësohen defektet.

Madje sipas tij, edhe kushtet në shkolla duhet të përmirësohen urgjentisht dhe se duhet që të miratohet Ligjin për Sigurimet Shëndetësore.

“SBAShK-u po pret ardhjen sa ma shpejtë të krijimit të institucioneve ngase ka kërkesa që duhet realizuar.

Ajo që mund të them me plot përgjegjësi është që SBAShK-u do të jetë i njëjtë pavarësisht kush e merr qeverisjen e Kosovës, jemi duke u përgatitur dhe jemi në konsultim me anëtarësinë dhe Qeverisë së re do i shtrojmë kërkesa konkrete, madje do jenë kërkesa që më parë nuk janë thënë shumë publikisht”“…ajo që do të angazhohemi është duke uruar që Qeveria e re të zgjedh një ministër të Arsimit që vërtetë e njeh sistemin arsimor dhe është i pritur për dialog, kërkesa jonë e parë do jetë që qeveria e Kosovës të shtoj mjete për t’i përmirësuar kushtet e punës në shkolla, pasi një pjesë e madhe punojnë me shkumës edhe shpuzë dhe mungon teknologjia informative, do kërkojmë që të formohet një komision  dhe të punohet në tërheqjen e defekteve te Ligji i Pagave, dhe kërkesa e tretë e jona e madhe do të jetë që ligji i aprovuar për Sigurime Shëndetësore të fillojë së implementuari ngase është për çdo kritikë”, u shpreh Jasharaj.

RAPORTO