Kryeministri Kurti: 2025-ta, viti i gruas në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka premtuar se viti 2025 do të jetë një vit i dedikuar për fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri dhe ekonomi.
Në një postim në rrjetet sociale, Kurti ka theksuar se qeveria që ai udhëheq ka ndërmarrë një sërë masash për të mbështetur gratë, duke filluar që nga nënat e reja e deri te gratë që kërkojnë punësim.
“Viti 2025 do të jetë viti i gruas. Në mandatin tonë të parë, dhe atë krejt në fillim, e nisëm mbështetjen për nënat lehona dhe për fëmijët deri në moshën 16 vjeç, përmes masave tona të punësimit vend të punës gjetën mbi 12 mijë gra, ndërkaq mbi 100 mijë gra hapën për herë të parë llogaritë e tyre bankare,” ka shkruar Kurti.
Kryeministri ka shtuar se qeveria do të vazhdojë të punojë për të rritur edhe më tej nivelin e aktivitetit ekonomik të grave, duke përfshirë edhe lansimin e programit “Superpuna për Gratë”.
“Siç kemi bërë deri më tani, vëmendjen e përkrahjen për to vetëm sa do ta rrisim. Në mandatin tjetër zotohemi që ta shtojmë edhe më shumë shkallën e aktivitetit të gruas në ekonomi, përmes një sërë masash, përfshirë edhe programin Superpuna për Gratë,” ka thënë Kurti.