KRU “Hidroregjioni Jugor” thirrje qytetarëve: Uji është jetë – ta ruajmë, ta vlerësojmë dhe të paguajmë faturat me rregull
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” Sh.A. ka lansuar një fushatë vetëdijesimi drejtuar të gjithë konsumatorëve, duke vënë theksin te rëndësia e kursimit të ujit dhe përgjegjësia e përbashkët për mirëmbajtjen e sistemit të ujësjellësit.
Përmes kësaj thirrjeje, kompania kujton se uji është një burim i çmuar dhe i pazëvendësueshëm, andaj kërkohet nga qytetarët që ta përdorin atë me përgjegjësi të lartë, duke shmangur çdo lloj keqpërdorimi dhe duke kursyer çdo pikë.
”Përdorimi racional i ujit ndihmon që të gjithë qytetarët të kenë furnizim sa më të rregullt, veçanërisht gjatë periudhave me konsum të lartë.” – thuhet në njoftimin e kompanisë.
Pagesa e faturave, çelësi për investime dhe shërbime më cilësore
Përveç thirrjes për kursim, KRU “Hidroregjioni Jugor” ka apeluar te qytetarët që të kryejnë pagesat e faturave të ujit brenda afatit të paraparë. Sipas kompanisë, pagesat e rregullta nga ana e konsumatorëve janë jetike pasi mundësojnë:
●Mirëmbajtjen e vazhdueshme të rrjetit të ujësjellësit.
●Investimet e nevojshme në infrastrukturë.
●Përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve që ofrohen për qytetarët.
Në përmbyllje, kompania thekson se kursimi i ujit dhe pagesa e faturave janë një përgjegjësi e përbashkët. Vetëm përmes bashkëpunimit reciprok mund të sigurohet një shërbim më cilësor dhe një e ardhme më e qëndrueshme për të gjithë komunitetin.
