KRU “Hidroregjioni Jugor” apel qytetarëve për kursim të ujit gjatë sezonit veror
KRU Hidroregjioni Jugor ka bërë thirrje për përdorim sa më racional të ujit të pijes, për shkak të temperaturave të larta dhe periudhës së thatësisë që pritet të karakterizojë sezonin veror.
Foto: Ilustrim
Në njoftimin e kompanisë thuhet se ruajtja e burimeve ujore është përgjegjësi e përbashkët dhe se përdorimi i pakontrolluar i ujit për ujitje, larje të oborreve, automjeteve apo aktivitete të tjera joesenciale ndikon drejtpërdrejt në furnizimin e rregullt me ujë për konsumatorët.
Kompania ka apeluar tek qytetarët që të shmangin keqpërdorimin e ujit të pijes, të raportojnë çdo rrjedhje apo lidhje ilegale dhe të kontribuojnë në ruajtjen e rezervave ujore gjatë kësaj periudhe.
Sipas KRU-së, vetëm përmes bashkëpunimit dhe vetëdijesimit të përbashkët mund të sigurohet furnizim i qëndrueshëm me ujë gjatë muajve të verës.
