Krimet ekonomike në Graçanicë, dy persona shoqërohen në polici për intervistim
Sot, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e Policisë së Kosovës ka kryer një aksion policor në komunën e Graçanicës, ku dy zyrtarë të Departamentit të Kadastrës janë shoqëruar për intervistim.
Policia ka konfirmuar për mediat se ky operacion është pjesë e një hetimi në lidhje me krimet ekonomike dhe korrupsionin në këtë komunë.
Në një deklaratë për media, Policia e Kosovës ka sqaruar:
“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës, më saktësisht Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e rendit, kanë kryer një aksion policor në komunën e Graçanicës. Ky aksion deri më tani ka rezultuar me arrestimin e dy të dyshuarve për intervistim dhe procedurë të mëtutjeshme policore. Pas përfundimit të aksionit do të njoftohen informata shtesë.”
Kryetarja e Komunës së Graçanicës, Ljiljana Shubariq, e pranishme para ndërtesës së komunës, deklaroi se aksioni është rezultat i një pune të vetë-inicuar nga zyrtarë individualë të policisë. Shubariq nuk dha detaje të mëtejshme, por shtoi se presin informacione shtesë nga organet e hetuesisë.
Ndërkohë, Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, komentoi aksionin, duke theksuar se puna e Departamentit të Kadastrës ka qenë shpesh e diskutueshme.
“Kam pasur rezerva për mënyrën e funksionimit të tyre, sepse më duket se qytetarët nuk janë asnjëherë prioriteti i tyre i parë. Ne vetë, disa herë kemi pasur disa sfida në komunikimin me ta… Nëse është e vërtetë që janë kryer akte të kundërligjshme, shpresoj që të gjithë përgjegjësit, përfshirë drejtorët, të mos mbrohen dhe të ndëshkohen siç duhet,” tha Rashiq.
Policia ka theksuar se hetimet janë në fazë të hershme dhe pritet të ketë informacione shtesë pas përfundimit të operacionit. Ky aksion reflekton angazhimin e institucioneve për të luftuar krimin ekonomik dhe korrupsionin në institucionet publike.