Krasniqi: 8 ose 9 deputetë të komuniteteve gati ta votojnë Qeverinë Kurti

24.06.2026

Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka deklaruar se një grup prej 8 ose 9 deputetësh nga komunitetet joshumicë është i gatshëm të mbështesë formimin e Qeverisë së re të udhëhequr nga Albin Kurti.

Pas mbledhjes së Qeverisë, Krasniqi tha se grupi multietnik është i interesuar që institucionet e reja të vendit të formohen sa më shpejt, në bashkëpunim me fituesin e zgjedhjeve.

“Grupi multietnik, i cili përbëhet prej 8 ose 9 deputetëve, është i gatshëm dhe i interesuar që sa më parë, bashkë me fituesin e zgjedhjeve, të shkojë drejt formimit të institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai theksoi se rezultati i zgjedhjeve ka krijuar një situatë të ngjashme me proceset e kaluara dhe se qytetarët presin krijimin sa më të shpejtë të institucioneve funksionale.

Sipas tij, vendi ka nevojë për një qeveri të re, një Kuvend funksional dhe zgjidhjen e çështjes së zgjedhjes së presidentit.

Lëvizja Vetëvendosje, sipas rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, ka siguruar 53 ulëse në Kuvendin e Kosovës, ndërsa për formimin e qeverisë nevojiten 61 vota.