Kosova synon Sistemin e Informacionit Shëndetësor funksional brenda tre vitesh
Kosova po avancon drejt krijimit të një Sistemi të Informacionit Shëndetësor të integruar në nivel vendi.
Foto: Ilustrim
Ministria e Shëndetësisë, së bashku me Ministrinë e Digjitalizimit dhe Administratës Publike dhe Misionin e Bankës Botërore, ka diskutuar progresin e Projektit KOMPAS dhe hapat e ardhshëm për digjitalizimin e sektorit shëndetësor.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, rrjeti qeveritar tashmë është shtrirë në mbi 95 për qind të institucioneve shëndetësore në Kosovë.
Paralelisht, institucionet janë duke zhvilluar komponentët digjitalë që synohet të ndërlidhen mes vete, me qëllim krijimin e një ekosistemi të integruar digjital të shëndetësisë.
Objektivi është që brenda tre viteve Kosova të ketë një Sistem të Informacionit Shëndetësor funksional, të integruar dhe të qëndrueshëm në nivel vendi.
Ministria e Shëndetësisë e ka cilësuar këtë si një proces kompleks, që kërkon kohë dhe angazhim të vazhdueshëm, por ka theksuar se puna tashmë ka filluar dhe drejtimi drejt digjitalizimit të shëndetësisë është i përcaktuar.
