Kosova synon lehtësim të vizave me Kolumbinë, nënshkruhen marrëveshjet e para

28.03.2026

Kosova dhe Kolumbia kanë shënuar një zhvillim të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet tyre, duke nënshkruar tri marrëveshje bashkëpunimi që synojnë thellimin e lidhjeve institucionale dhe diplomatike.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, gjatë vizitës në Kolumbi, zhvilloi takim me homologen e tij Paula Andrea Cerón Arboleda, ku u riafirmua angazhimi për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

Me këtë rast, u nënshkruan marrëveshja për heqjen e vizave për pasaportat diplomatike dhe zyrtare, marrëveshja për konsultime politike ndërmjet dy ministrive të jashtme, si dhe memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet akademive diplomatike të të dy vendeve.

Gjatë takimit u diskutua edhe mundësia për liberalizimin e vizave për qytetarët me pasaporta të rregullta, ndërsa pala kosovare i dorëzoi Kolumbisë një draft fillestar për këtë çështje.

Vizita e Ahmetit përfshiu edhe takime në fushën e sigurisë, ku ai u takua me zëvendësministrin e Mbrojtjes Nacionale, si dhe me përfaqësues të sektorëve të kulturës, arsimit, sportit dhe bujqësisë.

Kjo vizitë përmbylli një seri angazhimesh në rajon, gjatë së cilës Kosova nënshkroi gjithsej gjashtë marrëveshje, duke forcuar praninë dhe partneritetet e saj në Amerikën Latine.