Kosova po plaket e po pakësohet – që nga viti 1981, ka 400 mijë banorë më pak

15.11.2022

Më 15 nëntor, ditën kur bota ka arritur numrin 8 miliardë banorë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është shprehur i shqetësuar për rënien e numrit të popullsisë në Kosovë. Në tryezën “Perspektiva Demografike e Kosovës në Botën e Mundësive të Pafundme”, Konjufca tha se nga viti 1981, Kosova ka 400 mijë banorë më […]

Kosova po plaket e po pakësohet – që nga viti 1981, ka 400 mijë banorë më pak Foto: Ilustrim

Më 15 nëntor, ditën kur bota ka arritur numrin 8 miliardë banorë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është shprehur i shqetësuar për rënien e numrit të popullsisë në Kosovë.

Në tryezën “Perspektiva Demografike e Kosovës në Botën e Mundësive të Pafundme”, Konjufca tha se nga viti 1981, Kosova ka 400 mijë banorë më pak.

Ai tha se nuk duhet të lejohet që të vijë viti 2060 e të thuhet që Kosova ka rënë në 1.2 milionë banorë.

“Aseti më i rëndësishëm për Kosovën është rinia, por duhet ta kemi parasysh që Kosova për çdo vit është më pak e re, shtetet bëjnë përpjekje që ta ruajnë popullsinë e tyre, edhe Kosova duhet ta bëjë këtë dhe po mundohet për këtë. Mirëpo, të gjithë jemi të brengosur se në vitin kur kam lindur unë dhe kur po flasim, Kosova i ka 400 mijë banorë më pak. Kurse ne jemi vendi me natalitetin më të lartë në Evropë, kjo tregon se çka ka ndodhur me të vërtetë. Kjo çështje duhet të jetë në fokus të mobilizimit të të gjitha institucioneve tona për të bërë një plan nacional dhe gjithëpërfshirës. Për këto shifra të cekura më lartë, po flas për vitin 1981 kur është bërë regjistrimi i popullsisë, Kosova ka pasur përafërsisht 2 milionë banorë, dhe sot thuhet që është 1.6 milionë banorë”, theksoi ai.

Kryetari i Kuvendit tha po ashtu se me pa durim po pret të miratohet në kuvend strategjinë për zhvillim të qëndrueshëm./kp/