Kosova nikoqire për herë të parë e Konferencës Ndërkombëtare të Kartës Rinore Evropiane
Kosova do të mirëpresë për herë të parë Konferencën e 41-të Ndërkombëtare të Shoqatës Evropiane të Kartës Rinore, që prej anëtarësimit të saj në këtë organizatë në vitin 2023.
Konferenca, e cila do të zgjasë përgjatë gjithë javës, do të mbledhë në Prishtinë përfaqësues nga 38 shtete të ndryshme, duke e kthyer vendin në epiqendrën e diskutimeve evropiane për rininë dhe përfitimet që ofron Karta Rinore.
Gjatë punimeve të saj, do të flitet për funksionalitetin dhe rëndësinë e Kartës Rinore, e cila tashmë është e qasshme në formë digjitale në të gjitha gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës. Përmes kësaj karte, të rinjtë nga Kosova do të kenë mundësinë të përfitojnë mbi 60,000 zbritje dhe benefite në fusha të ndryshme si transporti, akomodimi, kultura, sporti, arsimi, si dhe në shërbime dhe produkte të ndryshme anembanë Evropës.
Ky organizim paraqet një hap të rëndësishëm për integrimin dhe fuqizimin e të rinjve kosovarë në rrjetet evropiane të zhvillimit dhe bashkëpunimit.