Kosova në krizë për anesteziologë dhe infermierë

  • 26.09.2022
Kosova në krizë për anesteziologë dhe infermierë

Mungesa e anesteziologëve dhe të infermierëve janë më të vërejtshmet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe, sipas të gjitha gjasave, ato nuk do të mund të adresohen së shpejti. Kjo qendër ka mbi dyfish më pak anesteziologë se do të duhej të kishte, përkatësisht 48 – ndërsa, bazuar në nevojat dhe kërkesat, do të duhej të kishte 120.

Arsye për këtë gjendje është largimi i vazhdueshëm i stafit mjekësor nga ky institucion publik i shëndetësisë.

Myziene Kryeziu, anesteziologe, është prej atyre që kanë marrë një vendim të tillë këtë vit.


 Pas më shumë se 15 vjetësh punë në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, Kryeziu është larguar këtë muaj, për të nisur punë në një klinikë private në Prishtinë.

“Nuk kam ikur për shkak të rrogës”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

“Aq jam lodhur e dërmuar, saqë nuk mundem më… Llogarite të kujdestarosh çdo të tretën ditë, 24 orë në punë”, thotë Kryeziu.

Në kushte normale, një anesteziolog do të kujdestaronte, mesatarisht, një herë në tetë ditë.

Kryeziu e përshkruan gjendjen në QKUK si “krizë”.

“Normalisht që është krizë kur për 700 operacione [në muaj] punojnë 48 anesteziologë”, thotë ajo.

“Jemi ankuar dhe kemi diskutuar në çdo mbledhje, por askush nuk është marrë me ne… Shteti nuk është lodhur me ne për asgjë, për asnjë stimulim”, thotë Kryeziu.

Paga bruto, apo e pataksuar, e një mjeku në Kosovë është 630 euro.

Sipas të dhënave të Odës së Mjekëve të Kosovës, 580 mjekë janë larguar nga Kosova – vend me 1.7 milion banorë – në periudhën 2018-2021.

Pleurat Sejdiu, kryetar i kësaj ode, thotë për Radion Evropa e Lirë se, deri më tash këtë vit, nga QKUK-ja dhe spitalet rajonale publike kanë dalë mbi 60 mjekë. Sipas tij, në nëntë muajt e parë të këtij viti, nga QKUK-ja janë larguar 10 anesteziologë.

Të larguarit, thotë ai, ankohen kryesisht për kushtet e punës, përfshirë pagat.

Drejtori i Klinikës së Anesteziologjisë në QKUK, Gazmend Spahija, thotë se mungesa e anesteziologëve e ka vështirësuar tej mase koordinimin me sallat e operacioneve.

“Jemi duke punuar me rastet urgjente, në mënyrë që pacientët të mos vuajnë… Këtë situatë e kemi lajmëruar shumë herët edhe në Ministri [të Shëndetësisë], edhe në drejtorinë e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, por, fatkeqësisht, nuk ka anesteziologë që presin dhe që janë pa punë”, thotë Spahija për Radion Evropa e Lirë.

Dyzet e tetë anesteziologët në QKUK janë të angazhuar për kryerjen e operacioneve në mbi 30 salla të operacioneve, në qendrat intensive dhe në emergjencën e QKUK-së.

Radio Evropa e Lirë ka raportuar në mes të këtij muaji se, në mungesë të anesteziologëve, ndodh që pacientët të presin me muaj apo vite për operacion.

Përveç mungesës së këtyre mjekëve specialistë, situatën në QKUK është duke e rënduar edhe numri në rënie i infermierëve.

Kryetari i Odës së Infermierëve të Kosovës, Naser Rrustemaj, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë se vetëm gjatë këtij viti, më shumë se 500 infermierë, nga sektori publik dhe ai privat, kanë kërkuar dokumente nga kjo odë për t’u larguar nga Kosova.

“Kushtet e punës, paga jo e dinjitetshme bëjnë që edhe ata që kanë punuar nga 20 e 30 vjet, të largohen”, thotë Rrustemaj.

Sipas tij, QKUK-ja funksionon me rreth 2.400 infermierë, ndërsa do të duhej të kishte mbi 3.000.

Paga bazë e një infermieri në Kosovë është rreth 400 euro në muaj.

“Paga që marrim, është shaka”, thotë Muhameti, një infermier 25 vjeç, që ka lënë punën në QKUK dhe po përgatitet për t’u transferuar në Gjermani.

Paga e infermierit në Gjermani është rreth 2.400 euro në muaj, ndërsa e mjekut rreth 4.000. Gjermania është bërë destinacion për shumë mjekë dhe infermierë nga Kosova.

Këtë opsion thotë se është duke e menduar edhe Enlirat Duraku, infermier në QKUK dhe nënkryetar i Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësorë.

“Që nga muaji mars kam nisur me planifikime, por jam duke e zvarritur këtë punë, sepse po mbaj shpresë se do të ndryshojnë gjërat”, thotë Duraku.

Një projektligj i ri për pagat, që parasheh rritje për punonjësit e sektorit publik, aktualisht është në procedurat e konsultimeve publike, që do të zgjasin deri më 6 tetor.

Qeveria e Kosovës ka thënë se ky projektligj do të dalë në miratim së shpejti. Në rast se kalon, ai do të hyjë në fuqi tetë muaj pas miratimit.

Këtë muaj, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se ka formuar edhe Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi, i cili do të udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.

Është thënë se përgjegjësitë e këtij komisioni do të përfshijnë zhvillimin e sektorit publik të shëndetësisë./REL/

N'minuta
Suharekë, rruga e lagjes “Fan Noli” vërshohet nga mbeturinat, ankohen qytetarët
Suharekë, rruga e lagjes “Fan Noli” vërshohet nga mbeturinat, ankohen qytetarët
[FOTO] Vetura përplaset me ujkun në autostradën Prizren-Suharekë
[FOTO] Vetura përplaset me ujkun në autostradën Prizren-Suharekë
Disa të rinj kapen në video duke dëmtuar ulëset në “Shtigjet e Ecjes”, Muharremaj kërkon intervenimin e policisë
Disa të rinj kapen në video duke dëmtuar ulëset në “Shtigjet e Ecjes”, Muharremaj kërkon intervenimin e policisë
Ganimete Hoxha nga fshati Budakovë ka nevojë për ndihmën tuaj
Ganimete Hoxha nga fshati Budakovë ka nevojë për ndihmën tuaj
Suharekë, zjarrfikësit vazhdojnë të përballen me zjarre malore
Suharekë, zjarrfikësit vazhdojnë të përballen me zjarre malore
Ambient i pastër, “betonizohet” rruga në Zonën Industriale
Ambient i pastër, “betonizohet” rruga në Zonën Industriale
Zjarr mbi fshatin Sallagrazhdë
Zjarr mbi fshatin Sallagrazhdë
Kapen me marihuanë, arrestohen 4 të rinj në Suharekë
Kapen me marihuanë, arrestohen 4 të rinj në Suharekë
Aksident në autostradë në drejtimin Suharekë-Prizren, raportohet për të lënduar
Aksident në autostradë në drejtimin Suharekë-Prizren, raportohet për të lënduar
Aksident në autostradë në drejtimin Suharekë-Prizren, një person i lënduar rëndë
Aksident në autostradë në drejtimin Suharekë-Prizren, një person i lënduar rëndë