Kosova ndalon importin e mishit të pulës nga Brazili për shkak të gripit të shpendëve
Kosova ka vendosur të ndalojë përkohësisht importin e mishit të pulës dhe produkteve të tjera të shpendëve nga Brazili, njoftoi të martën Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
Ky vendim vjen pas konfirmimit nga Brazili të premten të një shpërthimi të gripit të shpendëve në një fermë, ndërsa autoritetet braziliane thanë se po hetojnë raste të tjera të dyshuara.
AUV theksoi se masa synon “të mbrojë shëndetin publik dhe të parandalojë përhapjen e mundshme të sëmundjes në territorin e Kosovës”.
Edhe Bashkimi Evropian ka njoftuar një ditë më parë ndalimin e dërgesave të produkteve të shpendëve dhe mishit nga Brazili, eksportuesi më i madh i shpendëve në botë dhe eksportuesi kryesor në BE.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë bëri të ditur se kjo masë “do të mbetet në fuqi deri në një njoftim të dytë, gjithmonë bazuar në situatën epidemiologjike në Brazil dhe rivlerësimit të rrezikut nga AUV”.
Gripi i shpendëve është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek shpendët dhe, në raste të rralla, mund të transmetohet edhe te njerëzit.
“Megjithëse nuk ka prova që konsumimi i mishit apo vezëve të shpendëve mund të shkaktojë infeksion, mirëpo ndalimi i importit është një masë paraprake për të garantuar sigurinë ushqimore të qytetarëve,” thuhet në njoftimin e AUV-së.