Kosova ndalon importin e kafshëve të gjalla nga Hungaria për shkak të sëmundjes “Afta Epizootike”
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka marrë masa të menjëhershme për të mbrojtur shëndetin e kafshëve në Kosovë, duke ndaluar importin e kafshëve të gjalla dhe produkteve të tyre nga Hungaria.
Ky vendim vjen pas informacioneve të marra për shpërthimin e sëmundjes “Afta Epizootike – FMD” në këtë shtet.
Sipas njoftimit të lëshuar nga AUV, “Afta Epizootike” është një sëmundje virale me përhapje të shpejtë, e cila prek kafshët dythundrake dhe shkakton dëme të mëdha ekonomike. Kafshët e prekura përfshijnë lopët, delet, dhitë, derrat, si dhe ripërtypësit e egër si dreri dhe kaprolli.
Shenjat klinike të sëmundjes përfshijnë ethe dhe formimin e flluskave në cipën mukoze të gojës, në gji, kurorën e thundrës dhe në hapësirën ndërmjet gishtave.
“Sëmundja e Aftës Epizootike nuk përbën rrezik për shëndetin human. Por ka karakter ekonomik në prodhim dhe ndalim të tregtisë,” thekson AUV në njoftimin e saj.
Agjencia ka siguruar publikun se, në rast të konfirmimit të pranisë së sëmundjes, Kosova ka kapacitete të përgatitura inspektuese për vënien nën kontroll të saj. “Vendi ynë mban statusin e lirë nga sëmundja e Aftës Epizootike,” thuhet më tej në njoftim.