Kosova është në bisedime edhe me shtete të tjera për të zgjeruar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar rëndësinë e marrëveshjes së bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, duke e cilësuar atë si një hap të natyrshëm drejt forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të vendit.
Sipas saj, ky bashkëpunim trepalësh, i cili ka ekzistuar edhe më parë, tashmë është formalizuar dhe është plotësisht në linjë me standardet e NATO-s.
Gjatë një deklarate për media, Presidentja Osmani ka zbuluar se Kosova është në bisedime edhe me shtete të tjera për të zgjeruar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, pa dhënë detaje specifike.
Ajo nuk ka lënë pa komentuar as reagimin e Serbisë ndaj kësaj marrëveshjeje, duke e konsideruar atë si “tipik”. Osmani ka theksuar se Serbia vazhdon të jetë burimi kryesor i destabilitetit në rajon. “Ne padyshim që do ta mbrojmë vetveten nga këto ide hegjemoniste dhe imperialiste që ka udhëheqja e Serbisë, e cila synon të na kthejë në vitet ’90, të na kthejë në të kaluarën. Ne duhet të shikojmë drejt së ardhmes. Dhe e ardhmja mund të jetë e qetë dhe e qëndrueshme vetëm nëse mund të mbrohemi nga agresorë si Serbia, e cila gjithashtu sjell ndikime të dëmshme në rajon nga Rusia, Kina dhe Irani,” ka deklaruar Presidentja.
Më tej, Osmani ka siguruar se Kosova do të vazhdojë të punojë ngushtë me partnerët e NATO-s për të garantuar paqen dhe stabilitetin rajonal dhe global, duke mbrojtur në çdo kohë interesat e veta. Ajo ka vënë në dukje se Kosova dhe vendet e tjera të rajonit janë të harmonizuara me politikat e jashtme të Bashkimit Evropian.
Në fund të fjalës së saj, Presidentja Osmani ka theksuar kontributin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione paqeruajtëse ndërkombëtare, duke shërbyer krah për krah me forcat e SHBA-së, Turqisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.