Kosova ende pa sigurime shëndetësore dhe të ardhura për fëmijë

09.03.2020

Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk ka sigurime shëndetësore dhe të ardhura për fëmijë. Ekspertët e kësaj fushe vlerësojnë se vendi ynë nuk ka ndërmarrë asgjë për të stimuluar natalitetin dhe shumë shpejt do të përballet me mungesë të rinisë. Zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale thonë se deri me […]

Kosova ende pa sigurime shëndetësore dhe të ardhura  për fëmijë Foto: Ilustrim

Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk ka sigurime shëndetësore dhe të ardhura për fëmijë.

Ekspertët e kësaj fushe vlerësojnë se vendi ynë nuk ka ndërmarrë asgjë për të stimuluar natalitetin dhe shumë shpejt do të përballet me mungesë të rinisë. Zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale thonë se deri me tani për sa i përket përftimeve për çiftet që bëhen prindër nuk është e planifikuar asgjë. 

Në Kosovë është duke vazhduar rënia e natalitetit dhe përkundër kësaj institucionet e vendi deri më tani nuk kanë bërë asgjë për ta ndryshuar këtë gjendje. Drejtori i organizatës  “Instituti për Zhvillimin e Politikave Sociale”, që merret me hulumtimin e temave sociale, Vehbi Mujku, tha për Radio Kosovën se institucionet e Kosovës nuk janë duke ndërmarrë asgjë për të stimuluar natalitetin dhe për pasojë vendi ynë shumë shpejt do të përballet me problemin e mungesës së rinisë.

“Kosova është njëra ndër shtetet e vetme që nuk garanton sigurime shëndetësore, shtesa për fëmijë dhe për prindër edhe pse është e drejtë universale e garantuar, mirëpo shteti deri me tash nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim. Asnjëherë nuk flitet për rritjen e natalitetit, dhe besoj që shumë shpejt Kosova ka me qene në krizë për fuqi punëtore dhe do të përballet me mungesën e rinisë.“

Mujku, tha se institucionet duhet të bëjnë diçka në planin afatgjatë,  sidomos të stimulohen nënat të cilat janë të punësuara që pas lindjeve të kenë vendin e punës të siguruar dhe një orar të përshtatshëm që të kenë mundësi të punojnë dhe të kujdesen për fëmijën.

“ Institucionet duhet të bëjnë diçka që është afatgjatë në mënyrë që të stimulojnë nënat që kanë fëmijën e parë të dytë e të tretë. Nënave duhet t’u sigurohet që pas lindjes të kenë të sigurt vendin e punës dhe të rregullohet një orar i punës që mund të punojnë dhe të kujdesen për fëmijët.”

E udhëheqësi i Departamentit për Politika Sociale dhe Familjare në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Mentor Morina, tha për Radio Kosovën se deri me tani për çiftet të cilët bëhen prindër nuk është bëre asgjë. Në lidhje me këtë, në Vushtrri i është propozuar Kuvendit të Komunës që të miratojë propozimin për ndarjen e shumës prej 120 euro për të gjitha çiftet që bëhen prindër, me qëllim të stimulimit të natalitetit. Ndryshe, vendet e rajonit, e ndër to Shqipëria, për të gjitha çiftet që bëhen prindër ndan deri në 1 mijë pas lindjes së fëmijës të tretë./RadioKosova/