Kosova drejt anëtarësimit në SEPA – BQK: Përfitime mbi 55 milionë euro në vit për qytetarët dhe bizneset
Këshilli Kombëtar i Pagesave, nën organizimin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), mbajti takimin e parë për vitin 2025, ku u theksua përkushtimi institucional për përfshirje financiare, digjitalizim të pagesave dhe përgatitje për anëtarësim në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro – SEPA.
Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, tha se anëtarësimi në SEPA nuk është vetëm një reformë teknike, por një transformim strukturor që do të ndikojë pozitivisht në integrimin evropian dhe rritjen e konkurrueshmërisë ekonomike të vendit. Sipas tij, përfitimet vjetore të këtij procesi kapin shifrën mbi 55 milionë euro për qytetarët dhe bizneset e Kosovës.
Ai njoftoi se më 20 dhjetor 2024, BQK ka dorëzuar aplikimin preliminar për anëtarësim në SEPA, dhe ndërkohë është duke punuar intensivisht në përmbushjen e standardeve përmes miratimit të tri ligjeve kyçe dhe nxjerrjes së 20 akteve nënligjore. Për më tepër, është ndërtuar infrastrukturë moderne për sisteme pagesash të menjëhershme dhe është ndërmarrë një sërë iniciativash për qasje në platforma si Apple Pay dhe PayPal.
“Jemi në fazën e ndërtimit të sistemit të pagesave të shpejta ‘TIPS Clone’, në bashkëpunim me Bankën e Italisë. Kemi standardizuar përdorimin e QR kodeve, kemi zbatuar standardin IBAN edhe për institucionet jobankare dhe kemi integruar Regjistrin e Llogarive me platformën qeveritare e-Kosova,” tha guvernatori Ismaili.
Në takim mori pjesë edhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i cili theksoi rëndësinë e digjitalizimit të pagesave për luftimin e ekonomisë informale dhe uljen e kostove për qytetarët.
“Digjitalizimi është hapi i radhës pas parasë fizike. Ai ndihmon në parandalimin e parave të falsifikuara, zvogëlon shpëlarjen e parave dhe ul ndjeshëm kostot e transaksioneve. Qeveria është e përkushtuar që të promovojë pagesat digjitale me kosto të ulëta dhe me përfitime të mëdha për përdoruesit,” tha Murati.
Në këtë takim u theksua roli i rëndësishëm i partnerëve ndërkombëtarë si IFC dhe Banka Botërore, të cilët kanë ndihmuar në ndërtimin e kornizës ligjore, sandbox-ve rregullatore, qendrave të inovacionit digjital dhe modernizimin e infrastrukturës teknike të pagesave në vend.
Procesi i anëtarësimit në SEPA shihet si një hap i rëndësishëm drejt integrimit evropian dhe ndërlidhjes më të madhe të Kosovës me sistemin financiar ndërkombëtar.