KOS-CERT paralajmëron qytetarët për komprometimin e llogarive në WhatsApp
KOS-CERT ka njoftuar qytetarët se gjatë ditëve të fundit janë raportuar raste të komprometimit të llogarive në aplikacionin WhatsApp.
Foto: Ilustrim
Sipas njoftimit zyrtar, KOS-CERT është duke i trajtuar rastet në koordinim me institucionet përgjegjëse shtetërore, operatorët e telefonisë mobile dhe partnerët ndërkombëtarë. Gjithashtu, është vendosur kontakt me kompaninë Meta për të analizuar rastet dhe për të identifikuar mënyrat e mekanizmat e përdorur për komprometimin e llogarive.
Deri në përfundimin e analizave, KOS-CERT u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht që të mos ndajnë me persona të tjerë kodin e verifikimit të WhatsApp-it.
Qytetarëve u rekomandohet gjithashtu të aktivizojnë verifikimin me dy hapa, të kontrollojnë pajisjet e lidhura me llogarinë dhe të largojnë menjëherë çdo pajisje të panjohur.
KOS-CERT paralajmëron që të mos klikohen vegëza të dyshimta dhe të mos ndahen fjalëkalime, kode verifikimi apo të dhëna personale, edhe në rastet kur kërkesa duket se vjen nga një kontakt i njohur, pasi edhe llogaria e tij mund të jetë komprometuar.
Në rast se dyshohet për komprometim të llogarisë, KOS-CERT rekomandon përdorimin vetëm të mekanizmave dhe kanaleve zyrtare të WhatsApp-it për rikuperimin e llogarisë dhe raportimin e incidentit tek KOS-CERT.
KOS-CERT ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin dhe analizimin e situatës, ndërsa për çdo zhvillim të rëndësishëm publiku do të informohet përmes kanaleve zyrtare.

