Komuna e Leposaviqit merr në administrim objektin sportiv, zëvendëskomandanti i Policisë konfirmon ndihmën

27.05.2025

Komuna e Leposaviqit, e udhëhequr nga kryetari Lulzim Hetemi, ka marrë nën administrimin e saj objektin sportiv në këtë komunë.

Lajmin e ka konfirmuar për mediumin në gjuhën serbe “KoSSev” Policia e Kosovës, duke bërë të ditur se Komuna e Leposaviqit ka kërkuar ndihmën e tyre në këtë proces.

“Ne vetëm po e ndihmonim udhëheqjen komunale në marrjen e sallës komunale në Leposaviq,” ka deklaruar për KoSSev, Veton Elshani, zëvendëskomandant i policisë për rajonin e veriut. Mediumi nuk ka mundur të konfirmojë nëse, siç ndodhi së fundmi me Pallatin e Sporteve në Mitrovicën e Veriut, edhe në Leposaviq janë ndërruar drynat e objektit.

Nënkryetarja e Komunës së Leposaviqit, Marina Bogojeviq, gjithashtu ka folur për KoSSev lidhur me këtë ngjarje. Ajo ka sqaruar se komuna nuk e ka marrë vetë objektin, por vetëm menaxhimin e tij, duke siguruar se çdo gjë tjetër do të mbetet si më parë.

“Ne nuk po e marrim sallën e sportit, ne kemi përgjegjësi vetëm për objektin e sallës sportive, brenda objektit të sallës sportive nuk kemi asgjë, po ata punëtorë do të mbesin nëse duan, oraret për studentët, për trajnerët, gjithçka do të mbetet e njëjtë, vetëm menaxhmenti është i Komunës,” ka thënë Bogojeviq.

E pyetur se kush e ka menaxhuar sallën deri tani, ajo ka përmendur një organizatë që ka vepruar në kuadër të sistemit serb, duke shtuar: “Këtu thotë Organizata e Sporteve dhe Turizmit Leposaviq”.

KoSSev, duke cituar mediumin serb RTS, raporton se pas marrjes në dorëzim të objektit janë vendosur tabela të reja, përfshirë flamurin e Kosovës dhe një tabelë që e identifikon objektin si pronë të institucioneve të Kosovës. Po ashtu, raportohet se flamujt serbë janë hequr nga objekti.