Komandanti i ushtrisë amerikane për Evropë e Afrikë po qëndron në Kosovë, Ambasada e SHBA jep detaje për takimin me Prattipatin
E ngarkuara me Punë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, ka pritur në takim Komandantin e Ushtrisë së SHBA’së për Europën dhe Afrikën, gjeneralin Christopher Donahue, pas vizitës së këtij të fundit në Kosovë.
Sipas njoftimit të ambasadës amerikane, vizita e gjeneralit Donahue riafirmon angazhimin e SHBA-ve për të ndihmuar në ndërtimin e një të ardhmeje më të ndritur për Kosovën dhe për thellimin e lidhjeve midis dy vendeve.
“E ngarkuara me punë, Anu Prattipati, ishte e kënaqur të mirëpriste gjeneralin Christopher Donahue, Komandant i Ushtrisë së SHBA-së për Europën dhe Afrikën, gjatë vizitës së tij të parë në Kosovë në rolin e tij aktual. Vizita, e cila përfshinte takime bilaterale dhe multilaterale, riafirmoi angazhimin tonë të përbashkët për të ndihmuar në krijimin e një të ardhmeje më të ndritur dhe për thellimin e lidhjeve midis kombeve tona,” thuhet në njoftimin e ambasadës.
Vizita e gjeneralit Donahue në Kosovë, vjen në një kohë kur prania e SHBA-ve në rajon mbetet e rëndësishme për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë. Takimet e zhvilluara gjatë kësaj vizite, theksojnë rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis SHBA-ve dhe Kosovës, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.