Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari priti në takim u.d. Presidenten Albulena Haxhiu

20.05.2026

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, ka pritur në takim zyrtar u.d. Presidenten e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu.

Gjatë takimit, Gjeneral Jashari e informoi u.d. Presidenten Haxhiu lidhur me proceset nëpër të cilat po kalon FSK-ja, të arriturat e saj si dhe planet për zhvillimin e mëtejmë të forcës.

Po ashtu, në takim u diskutua për planifikimet strategjike të FSK-së, përfshirë fazën aktuale të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit (PGJT), procesin e planifikimit afatgjatë të zhvillimit dhe sfidat aktuale me të cilat përballet Forca e Sigurisë së Kosovës.

Në fokus të bisedës ishte edhe rëndësia e pjesëmarrjes së FSK-së në operacione ndërkombëtare jashtë vendit, duke u vlerësuar si një kontribut i rëndësishëm që e shndërron Kosovën në eksportuese të sigurisë në nivel global.

Nga ana tjetër, Haxhiu e përgëzoi Gjeneral Jasharin për të arriturat e deritanishme të FSK-së dhe rezultatet e treguara në aktivitete të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare.

Në fund të takimit, të dy palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe nevojën për avancimin e FSK-së në një forcë moderne dhe profesionale në rrugën drejt anëtarësimit të Kosovës në NATO.