Kolona në kufi: Deri në 1 orë e 30 minuta pritje në pikën Bajakovë mes Kroacisë dhe Serbisë

13.07.2025

Me fillimin e sezonit turistik dhe shtimin e lëvizjeve në trafikun ndërkombëtar, kanë nisur kolonat e para në pikat kufitare që shfrytëzohen kryesisht nga mërgimtarët që kthehen në Kosovë për pushime verore.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga HAK (Auto-klubi Kroat) në orën 12:19, situata më e rënduar paraqitet në pikëkalimin kufitar Bajakovo, në dalje nga Kroacia drejt Serbisë, pritjet janë rreth 1 orë e 30 minuta. Kjo është një nga pikat më të frekuentuara nga bashkatdhetarët që vijnë nga vendet perëndimore të Evropës.

Në pikën tjetër të afërt, Tovarnik, po ashtu në dalje të Kroacisë, pritjet janë raportuar të jenë rreth 1 orë, çka tregon për fluks të shtuar të automjeteve në këto drejtime.

Ndërkohë, në pikëkalimin kufitar Horgosh, në dalje të Hungarisë drejt Serbisë, situata paraqitet më e qetë, me pritje prej rreth 10 minutash, sipas raportimeve të fundit.

Sa i përket rrugës që kalon përmes Kroacisë në drejtim të Malit të Zi, në pikën kufitare Karasoviçi, deri tani nuk ka një raport të qartë për kohën e pritjes.

Autoritetet kufitare u bëjnë thirrje udhëtarëve që të informohen me kohë mbi gjendjen nëpër pika kufitare dhe, nëse është e mundur, të zgjedhin orare më të lira për të shmangur pritjet e gjata.