Kolona kilometrike në kufirin Kroaci-Serbi: Deri në 3 orë pritje

02.08.2025

Me fillimin e muajit gusht dhe rikthimin masiv të mërgimtarëve në Kosovë për pushimet verore, disa nga pikat kufitare kryesore në rajon po përballen me ngarkesë të jashtëzakonshme.

Fluksi më i madh i qarkullimit është regjistruar në pikën kufitare Bajakovë, në dalje të Kroacisë drejt Serbisë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Automobilklubi Kroat (HAK) më 1 gusht në orën 15:24, pritjet në këtë pikë kanë arritur deri në 3 orë, ndërsa kolona e automjeteve është vlerësuar të jetë rreth 4 kilometra.

Pika kufitare Bajakovë konsiderohet si një nga arteriet më të rëndësishme për qytetarët e diasporës që udhëtojnë nga shtetet perëndimore të Evropës drejt Kosovës, përmes rrugës që kalon në Kroaci, Serbi dhe pastaj në territorin kosovar.

Ndërkohë, në kufirin Hungari–Serbi, konkretisht në pikën kufitare Horgosh, situata paraqitet më e lehtësuar, me pritje deri në 60 minuta. Kjo pikë po ashtu përdoret gjerësisht nga mërgimtarët shqiptarë nga Gjermania, Austria dhe Zvicra.

Autoritetet kufitare dhe shoqatat automobilistike në rajon u bëjnë thirrje udhëtarëve të planifikojnë udhëtimin me kujdes dhe të informohen paraprakisht për gjendjen në pikat kufitare përmes kanaleve zyrtare. Përveç shmangies së orëve me fluks të lartë, udhëtarëve u rekomandohet të përdorin pikat kufitare alternative, aty ku është e mundur, për të shmangur vonesat e gjata dhe për të pasur një udhëtim më të rehatshëm.