KMDLNj: Marrëveshjet me Britaninë dhe Danimarkën cenojnë sovranitetin
Një marrëveshje e nënshkruar vite më parë nga një ish ministre e papërgjegjshme e Drejtësisë me Ministrinë e Drejtësisë së Danimarkës, për transferimin e 300 të dënuarve për vepra të rënda kriminale në Kosovë, po vazhdon të prodhojë pasoja dhe shqetësime serioze për sigurinë dhe të drejtat e njeriut në vend.
Asnjëri prej të dënuarve nuk është shtetas danez, ndërsa marrëveshja u votua nga deputetë të painformuar – disa prej tyre edhe me qëllime dashakeqe.
Sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), kjo marrëveshje përbën precedent të rrezikshëm, duke cenuar integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës. Po ashtu, asnjë vend tjetër i rajonit nuk ka pranuar propozime të tilla nga Danimarka, duke vlerësuar drejt pasojat afatgjata që mund të sjellin këto praktika.
Pas Danimarkës, interes për “marrëveshje të ngjashme për burgje” kanë shfaqur edhe Mbretëria e Bashkuar dhe Belgjika. Së fundi, dy ministre të qeverisë belge vizituan Kosovën për të diskutuar mundësinë e përsëritjes së modelit danez, por për opinionin publik nuk janë dhënë informacione të qarta mbi përmbajtjen e bisedimeve.
Ndërkohë, pas dështimit të marrëveshjes me Ruandën për vendosjen e refugjatëve të paligjshëm, kryeministri britanik Keir Starmer ka hedhur “spirancat” në Kosovë. Ai, sipas burimeve, ka marrë premtime nga Albin Kurti, kryeministër kujdestar i Kosovës, për pranimin e refugjatëve të paligjshëm nga Mbretëria e Bashkuar, madje edhe të burgosurve, në këmbim të garancioneve të sigurisë britanike përballë rrezikut nga Serbia dhe Rusia — garanci që nuk i janë dhënë as Ukrainës.
KMDLNj ka reaguar ashpër ndaj kësaj ideje, duke e konsideruar të papranueshme dhe pa asnjë bazë ligjore, institucionale apo kushtetuese. “Kryeministri Kurti nuk ka mandat institucional për të negociuar marrëveshje të tilla”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së, që paralajmëron pasoja të rënda nëse një plan i tillë materializohet.
Kosova aktualisht ka një numër të vogël refugjatësh dhe azilkërkuesish, të cilët ndodhen në dy qendra pritjeje, por edhe aty përballet me vështirësi të mëdha menaxhuese. Raportet flasin për përfshirje të disa prej tyre në aktivitete kriminale si vjedhje, shpërndarje të narkotikëve, përleshje dhe raste të sulmeve seksuale.
Sipas KMDLNj-së, Kosova nuk ka as kapacitetet fizike, materiale, profesionale apo njerëzore për të menaxhuar një numër të madh refugjatësh apo të burgosurish nga shtetet e tjera. Këshilli kujton se edhe “eksperimenti” i ngjashëm mes Italisë dhe Shqipërisë për pritjen e refugjatëve po dështon, duke prodhuar më shumë probleme sesa zgjidhje.
Refugjatët, sipas ligjeve ndërkombëtare, gëzojnë të drejtën e lëvizjes dhe në disa raste edhe të punës, çka e bën të pamundur që ata të trajtohen si të burgosur. Për pasojë, vendosja e tyre me forcë në Kosovë do të përbënte shkelje të drejtpërdrejtë të të drejtave të njeriut.
KMDLNj thekson se në rast të pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, çdo marrëveshje e tillë diskriminuese do të duhej të anulohej menjëherë, pasi bie ndesh me standardet ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Në përfundim, KMDLNj përkrah vetëm marrëveshjet për riatdhesimin e shtetasve të Kosovës që ndodhen në Mbretërinë e Bashkuar si refugjatë apo të dënuar, por refuzon çdo plan për sjelljen e shtetasve të huaj në territorin e Kosovës.
“Jetësimi i këtyre marrëveshjeve do të krijonte rrezik serioz për sigurinë e brendshme, do të rriste kriminalitetin, do të nxiste trafikimin me qenie njerëzore, përhapjen e narkotikëve, prostitucionin dhe dhunën seksuale”, – paralajmëron KMDLNj.