Kjo është arsyeja pse EULEX e shtoi praninë mbi Urën e Ibrit

14.08.2024

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) sot është parë se ka vendosur makina mbi Urën e Ibrit, aty ku tash e disa ditë po kryhen punime.

Kjo është arsyeja pse EULEX e shtoi praninë mbi Urën e Ibrit Foto: Ilustrim

Nga EULEX kanë deklaruar se patrullimet po kryhen me qëllim të parandalimit të ndonjë situate të paparashikueshme.

Ata theksuan se jo vazhdimisht janë prezentë mbi Urën e Ibrit.  

“Për informim rreth situatës, Njësia e Formuar Policore e EULEX-it po kryen patrullime të rregullta mobile të zbulimit në baza 24/7, duke përfshirë – por pa u kufizuar në – afërsinë e urës. Dëshirojmë të theksojmë se EULEX-i nuk ka prezencë të vazhdueshme statike të sigurisë në urë”, thuhet në përgjigjën e tyre për Insajderi.

Të pyetur se si është situata e përgjithshme e sigurisë, përkatësisht a ka ndonjë rrezik potencial.

EULEX rikonfirmoi që “Siguria e të gjitha komuniteteve në Kosovë mbetet prioriteti ynë i parë”.

Tutje thanë se janë të gatshëm ta ndihmojnë Policinë e Kosovës në rast se një gjë e tillë kërkohet.

“EULEX-i mbetet vigjilent dhe, në përputhje me mekanizmin reagues të sigurisë me tre nivele të Kosovës, është i gatshëm të mbështesë Policinë e Kosovës nëse kërkohet dhe është e nevojshme për të kontribuar në ruajtjen dhe promovimin e rendit dhe sigurisë publike në rastet e trazirave civile”.

Mëngjësin e së mërkurës, makina të blinduara të EULEX dhe KFOR janë parë mbi Urën e Ibrit.

Aty kanë vazhduar edhe sot punimet, përkatësisht në pjesën mbi urë dhe pjesët rrethuese të saj.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka publikuar të martën raportin e vlerësimit të Urës së Ibrit, mbi kapacitetet mbajtëse të strukturës së saj, në të cilin raport u tha se ajo është stabile, e qëndrueshme dhe funksionale.